DURRES– Këshilli Bashkiak Durrës, në bashkëpunim me Qendrën për Çështjet e Informimit Publik (CIP) zhvilluan sot në ambjentet e Hotel “Adriatik”, diskutimin e hapur publik për Planin e Përgjithshëm Vendor.

Plani i Përgjithshëm Vendor përbën një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në ushtrimin e funksioneve vendimmarrëse të Këshillit Bashkiak e për pasojë diskutimi i tij me aktorët e interesuar dhe publikun është mbi të gjitha një detyrim ligjor për vetë Këshillin, por edhe një detyrim që buron edhe nga ligji për urbanistikën.

Plani i Përgjithshëm Vendor u prezantua nga përfaqësuesi i studios projektuese T.P.Development Group,ing. Athanasios Pagonis.

Debati ndërmjet Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Durrës u fokusua në cilën pjesë Plani propozon trajtimin me PDV (Plane të detajuara vendore) dhe për cilën pjesë direkt me leje zhvillimi.

Propozimi që erdhi nga Studio Projektuese në bashkëpunim me administratën e Bashkisë ishte që me PDV të trajtohen vetëm zonat informale, ndërkohë që pala tjetër propozoi mbulimin e pjesës më të madhe të qytetit me plane të detajuara, me argumentin se këto zona kanë qenë pre e një zhvillimi të pa balancuar dhe se PDV si kompetencë e Këshillit Bashkiak garantojnë një zgjidhje me demokratike dhe një zhvillim më harmonik.

Procesi i njohjes së detajuar te PPV nga vendimmarrësit u konsideruar i një rëndësie të posacme, për të shmangur që në vendimmarrje defekte të mundshme në planifikimin e qytetit, apo për t’i prerë rrugën fenomeneve negative që kanë shoqëruar në këto vitet e fundit zhvillimin kaotik urban të Durrësit

Debatet në takimin e sotëm nxorën në pah diferenca të rëndësishme në konceptimin e PPV midis administratës së Bashkisë nga njëra anë dhe Këshillit nga ana tjetër.

Një çështje shqetësuese që u diskutua nga arkitektët dhe urbanistët durrsakë të pranishëm ishte oponenca teknike e pamjaftueshme e projekt-planit si dhe ngritja e një komisioni Ad Hoc teknik pranë Këshillit Bashkiak për shqyrtimin paraprak të planit para aprovimit të tij përfundimtar. Ky proces i njohjes së detajuar te PPV nga vendimmarrësit u konsideruar i një rëndësie të posacme, për të shmangur që në vendimmarrje defekte të mundshme në planifikimin e qytetit, apo për t’i prerë rrugën fenomeneve negative që kanë shoqëruar në këto vitet e fundit zhvillimin kaotik urban të Durrësit.   

Planifikimi i territorit është sot një nga çështjet më të rëndësishme, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve durrsakë. Plani i Përgjithshëm Vendor është dokumenti kryesor i planifikimit strategjik. Ai përfshin një përmbledhje të analizës, vizionit dhe propozimit të përdorimit të tokës, strukturat dhe shërbimet e infrastrukturës. Bazuar në PPV do të udhëhiqen në të ardhmen investimet publike dhe private në qytet.

Të pranishëm në këtë takim mjaft të rëndësishëm ishin kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, përfaqësues të administratës bashkiake, palë të interesuara dhe qytetarë durrsakë.

Konferenca u organizua si një bashkëpunim mes Këshillit Bashkiak, Durrës. Qendrës për Çeshtje të Informimit Publik dhe degës lokale të kësaj qendre në Durrës dhe Zyrës për Transparencë Qytetare. Inisiativa mbështetet prej më shumë se një viti tashmë prej National Endowment for Democracy, Washington DC, SHBA.

Qendra ÇIP dhe dega e saj në Durrës prej më shumë se një viti janë duke punuar ngushtësisht me Këshillin Bashkiak Durrës për të forcuar vendimmarrjen me pjesëmarrje.