Deputetët, pjesë e Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë, zhvilluan sot një vizitë në spitalin rajonal Durrës në kuadër të planit dyjavor të punës së komisionit për kontrollin e dy koncesioneve, qē lidhen me Check-up-in dhe sterilizimin.

Pas një diskutimi më shumë se një orë me drejtorin e spitalit Ani Dyrmishi, shefa shërbimesh, nëndrejtoreshën për çështjet ekonomike dhe kryeinfermierin e institucionit.

Më pas, një përfaqësi e deputetëve të pranishëm inspektoi ambientet ku kryhet sterilizimi i pajisjeve spitalore.

Në përfundim të vizitës, kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar Albana Vokshi deklaroi se shqetësimet e ngritura kohë më parë nga raportet e ndryshme mbi sektorin e shëndetësisë morën përgjigje nga drejtuesit e spitalit.

“Të gjithë informacionin që ne mundëm të marrim sot ne do t’ia referojmë komisionit hetimor dhe anëtarëve të tjerë. Ky informacion do të shërbejë edhe për pyetjet në dëgjesat që do të bëhen me dëshmitarët që do të thirren për të dëshmuar në komision dhe mund edhe të jenë pjesë e raportit përfundimtar, që do t’i dërgohet më tej parlamentit”,- tha Vokshi.

Ndërsa nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca, i cili ishte dhe njëri nga deputetët që u fut në ambientet ku kryhet sterilizimi, tha se: “Është një vizitë informuese e komisionit, që të kuptojmë si është situata në spital, si është situata lidhur me shërbimet që ne kemi objekt hetimi në komision. Ëhstë një vizitë që do të vazhdojë edhe në institucionet të tjera. Më pas ne do të dalim në konkluzione kur të jetë momenti i përfundimit të punës së komisionit hetimor”.

Në kalendarin e miratuar të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar për Shëndetësinë  parashikohen edhe dy vizita të tjera në spitale të vendit tonë.

Puna e këtij komisioni pritet të përmbyllet më datë 21 korrik.

M.B.