Komisioni i Venecias mbështet zgjatjen e mandatit të organeve që kryejnë vettingun e njerëzve të drejtësisë, deri në date 31 Dhjetor 2024. Në draft-opinionin e “Venecias” që ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë, thuhet amendamenti kushtetues, për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualikimit dhe Komisionerit Publik, është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ky opinion i “Venecias” i jep një shtysë më shumë mazhorancës për të shkuar në seancë parlamentare e të hedhe në votim ndryshimin në Kushtetutën e vendit.

Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias do të diskutohet e më pas do miratohet në sesionin e datës 10 Dhjetor. “Venecia” u angazhua në këtë proces pas kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë. Mazhoranca është shprehur më herët se qëllimi i ndryshimit kushtetutes është që të gjithë magjistratët, gjyqtarë dhe prokurorë t’i nënshtrohen të njëjtit standard kontrolli, pasi kalimi i verifikimit tek KLGJ e KLP do sillte ndryshim të metodologjikës së punës, si dhe mundësisht konflikt interesi.

Deri më tani Këshilli i Legjislacionit ka zhvilluar një sërë seancash dëgjimore me ekspertë konstitucionalistë, përfaqësues të shoqërise civile dhe akademike.

Për votimin në Parlament të ndryshimit kushtetutes nevojiten të paktën 94 vota deputetësh, të cilat PS nuk i gëzon e për këtë arsye nevojiten edhe votat e opozitës. Deri tani opozita nuk është shprehur zyrtarisht nëse do votojë pro apo kundër këtij ndryshimi kushtetutes.