Orizi plastik nga Kina vijon të mbetet në radarin e të gjithë institucioneve të kontrollit të Bashkimit Evropian. Të gjitha vendet evropiane me porte pritëse të ngarkesave me oriz nga Kina janë në gatishmëri të plotë për të mos lejuar kalimin në Eurozonë të këtij produkti të flasifikuar dhe shumë të rrezikshëm për konsumatorët.

Por falsifikatorët kinezë nuk reshtin përpjekjet e tyre për ta kaluar orizin plastik përtej pengesave të kontrollit doganor. Jo më larg se në dhjetor të 2016-s, një sasi e konsiderueshme u sekuestrua në Nigeri, raportuar nga rrjeti mediatik BBC.

Sipas raportimeve të AgroWeb.org, nga fundi i vitit 2016, edhe Greqia raportoi për dyshime të bazuara për trafikimin e orizit plastik nga Kina si pasojë e pozitës dominante të porteve greke si porte hyrëse të mallrave kineze në Evropë. Ky është edhe alarmi më i afërt në distancë me territoret shqiptare!

Të gjendur para vëmendjes dhe alarmit të institucioneve të kontrollit ushqimor dhe opinionit publik, tregtarët e mëdhenj që trafikojnë orizin plastik nga Kina kanë pranuar se disa sasi të mëdha orizi plastik nuk janë oriz.

Për herë të parë, kompanitë kineze kanë deklaruar se ngarkesat me oriz të falsifikuar nuk përmbajnë oriz të ngrënshëm, por oriz plastik, i cili vlen vetëm për qëllime dekorative dhe për ekspozim njëlloj si frutat plastike të njohura për konsumatorët shqiptarë para viteve '90 si dekoracione.

Tregtarët kinezë të orizit janë shfajësuar duke deklaruar se nuk mbajnë përgjegjësi për përzierjen e orizit plastik dekorativ me sasi të orizit origjinal të destinuar për konsum. Sipas pretendimeve të tyre të raportuara nga një sërë mediash të besueshme, përzierja e orizit plastik me orizin origjinal bëhet në magazinat e kompanive ndërmjetëse për të rritur peshën e thasëve të orizit dhe si rrjedhim fitimet në mënyrë të paligjshme.

Kina, vendi i vetëm në botë që prodhon oriz plastik dekorativ

Kina është vendi i vetëm në botë që prodhon oriz plastik dekorativ për qëllime ekspozimi. Koncepti i orizit dekorativ ka të bëjë me pamundësinë e rezistencës së orizit të vërtetë për ekspozim afatgjatë në vitrina.

Pas njoftimeve të vazhdueshme publike nga AgroWeb.org, Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit në Shqipëri, AKU, vitin e kaluar pretendon të ketë ndërmarrë kontrolle në magazinat ushqimore në vend për të verifikuar praninë e orizit plastik nga Kina.

AKU pretendon se nga kontrollet në vend nuk rezulton një mall i tillë, por afërsia me Greqinë e bën Shqipërinë një vend të rrezikuar për hyrjen e orizit plastik kinez dhe shpërndarjen në tregjet vendase dhe ato rajonale.

AKU i është përgjigjur kërkesës së AgroWeb.org për informacion në lidhje me orizin plastik dhe ka njoftuar zyrtarisht që Shqipëria nuk importon direkt oriz nga Kina. Por nga ana tjetër, nuk është qetësues fakti që vendi ynë importon oriz nga vende si Bullgaria, Rumania, Greqia dhe Maqedonia, asnjë prej të cilave nuk është vend prodhues i orizit, por vende të tranzitit të mallrave kineze.

/AgroWeb.org/