Tingujt e muzikës klasike të disa prej kompozitorëve më të famshëm italianë krijuan një atmosferë magjike dhe mjaft të ngrohtë në amfiteatrin e Durrësit, mbrëmjen e së hënës.
Ambasada e Italisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” dhe Qendrën Muzeore Durrës sollën koncertin “Mesdheu në muzikë”.
Me një repertor mjaft të kuruar, që përfshinte pjesë nga kompozitorët e famshëm italianë si Rossini, Puccini, Donizzeti, Ennio Moricone etj, instrumentistët e rinj të orkestrës Magna Grecia nga Taranto, sollën për publikun durrsak një spektakël muzikor të nivelit të lartë.
“Amfiteatrot u ndërtuan për të mirëpritur evente të mëdha. Edhe pse amfieatri juaj nuk është i plotë, nga ana teknike nuk do të kemi probleme. Do të përdorim vetëm pak foni. Spektatorët do të dëgjojnë tingujt e instrumenteve në formën e tyre natyrale”,- deklaroi Piero Romano, drejtuesi i orkestrës rinore.
“Kemi orkestrën e të rinjve Magna Grecia, që vjen nga Taranto. Taranto është një qytet arkeologjik i rëndësishëm dhe në këtë mënyrë krijohet një lidhje e ngushtë me Durrësin, qytetin antik të Shqipërisë”- tha drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera.
Koncerti “Mesdheu në muzikë” ishte një homazh ndaj traditës muzikore mesdhetare dhe një nga aktivitetet më të spikatura në kuadër të Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri.
Fqinjët tanë përtej Adriatikut kanë zbuluar së fundmi Shqipërinë si destinacion për të jetuar apo për turizëm dhe për këtë arsye, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë po punon për të nxjerrë brenda këtij viti disa guida në gjuhën italiane për trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare.
“Perceptimi i italianëve për Shqipërinë ka ndryshuar shumë në 5 vitet e fundit. Gjithnjë e më shumë italianë vijnë këtu. Për këtë arsye ne po punojmë mbi një projekt për të publikuar në italisht disa guida të siteve më të rëndësishne arkeologjike. Këto materiale do t’u japin italianëve një informacion të hollësishëm për trashëgiminë tuaj kulturore dhe natyrisht një guidë e dedikuar do të jetë për sitet arkeologjike dhe historike të Durrësit dhe lidhjen e tij me perandorinë romake”,- tha Ruggera.
Ky koncert shënoi gjithashtu hapjen zyrtare të sezonit artistik veror në qytetin bregdetar, që këtë vit pritet të jetë i mbushur me aktivitete të larmishme në sheshin “Liria” dhe në arenën historike të amfiteatrit.
M.B.