Një koncert recital që ndërthuri muzikën e bukur dhe një kauzë mjaft të rëndësishme sociale për komunitetin e të verbërve të Durrësit u mbajt në ambientet e hotel Adriatik.
Eventi kulturor i organizuar nga Rotary E-Club Durrës 24 kishte të ftuar nderi pianistin e verbër italian Nicola Pio Nasca, interpretues i njohur dhe fitues i disa çmimeve muzikore.

22-vjeçari i talentuar, përmes repertorit të përzgjedhur nga muzika baroke, klasicizmi romantik dhe pjesë të njohura të shekullit XX, përcolli tek të pranishmit emocione të forta.

Ky koncert recital shërbeu për të mbledhur fonde, që do të shkojnë për shoqatën e të verbërve Durrës.
Rotary E-Club Durrës 24 do ta përdorë shumën e mbledhur për vendosjen e tabelave informuese në alfabetin braj në disa institucione të qytetit, si spitali, bashkia, njësitë administrative, Drejtoria Vendore e Policisë, Muzeu Arkeologjik Kombëtar dhe Qendra Kulturore.


Ky event u mbështet edhe nga Inner Wheel Club Bari Alto e Terra de Peuceti, me seli në Bari, Itali, përfaqësuar nga Presidentja Maria Mossa, Inner Wheel Club Tirana, me Presidenten Iris Çiço, Guvernatori në Ardhje i Distriktit 2485 Arben Dushi, Tommaso Garofalo, anëtar nderi i tre klubeve si dhe Ambasador i Rotary për Italinë i Distriktit 2485 Shqipëri-Kosovë.

Eventi u zhvillua nën kujdesin e Presidestes Gita Baltëza, Jonadri Prodani e rotarianëve të Rotary E-Club Durrës 24 dhe u mbështet gjithashtu nga hotel Adriatik që ofroi falas sallën ku u zhvillua koncerti recital.