Intervistë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri dhënë gazetares Ola Xama për televizionin Vizion Plus

Z.Gjiknuri në çfarë faze janë bisedimet për kontratat e reja në fushën e kërkimit të naftës e gazit, i referohem këtu blloqeve Dumre dhe atij Nr.4 ku fituan të drejtën respektivisht Delek Group dhe SHELL?

Janë në fazën finale të negocimit të kontratës pasi kemi rënë dakord për termat financiare. Po finalizohen kontratat dhe në muajt e ardhshëm, jo më shumë se një muaj, këto kontrata do të jenë efektive dhe të nënshkruara. Kjo do të thotë se do të hapen procedurat për fazën e eksplorimit, e cila përfshin investime të bërjes së studimit sizmik të terrenit, për të parë se ku mund të jenë mundësitë më të mira për të shpuar për kërkim dhe më pas fillimi i shpimit për kërkim. Kuptohet, këto kanë disa vlera investimesh paraprake, jo vlera të mëdha që kanë fazat e zhvillimit por janë vlera që shkojnë patjetër në disa milionë dollar në vit. Është një fazë e rëndësishme paraprake për të zbuluar nëse aty ka apo jo naftë. Në fund të fundit, me rëndësi është që gjitha këto procese të kryhen, që të kuptojmë a ka rezerva nafte nëntoka shqiptare në këto zona.

Z.Gjiknuri, a keni marrë ju garanci për investimet që do të bëhen brenda këtij viti. Kam parasysh këtu faktin se situata e keqe e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare mund të bëjë që investitorët ta shtrijnë investimin në vitet në vijim?

Këta investitorë për të cilët po flasim konkurruan në një kohë në të cilën çmimet e naftës ishin të ulëta, pra është një gjë që u parashikua. Bëhet fjalë për vlera të cilat ata i kanë parashikuar për pjesën e eksplorimit dhe siç e thashë nuk janë shumë prej qindra milionë dollarësh siç janë fazat e tjera të mëvonshme të vlerësimit apo zhvillimit. Ne e kemi thënë se këto janë kompani serioze. SHELL është tashmë në Shqipëri dhe madje për shkak të interesit më të madh për territorin shqiptar ka zgjeruar aktivitetin duke blerë Petromanasin. Ata po investojnë para të tjera dhe në Qershor do të mbërrijë një platformë e rëndësishme për kërkimin e naftës që do të hapë një nga puset më të thella në Shqipëri. Po i referohem kërkimit të naftës në zonën e Shpiragut ku do të involvohen gjithashtu dhjetra milionë dollar investime. Mjafton tu them se një pus i SHELL në atë zonë shkon në 70-100 milion USD vlerë investimi dhe është një vlerë e cila do të disbursohet në ekonominë shqiptare. Kompanitë Delek Group dhe SHELL janë kompani të cilat në buxhetet e tyre kanë parashikuar fonde të paprekura për eksplorimin, pasi e kuptojnë se ciklet e naftës ulen e ngrihen.

Për sa i takon rishikimit të termave me kompaninë Bankers Petroleum çfarë përfitimesh financiare synon të realizojë Shqipëria?

Edhe në kontratat e reja që negociuam dhe jemi duke i përfunduar synuam terma më të mira financiare. Do të thotë se për herë të parë përfshimë në kontratën hidrokarbure shqiptare konceptin e nivelit të shpenzimeve, pra vendosja e një tavani mbi kostot e rekuperueshme të naftës. Do të thotë që shteti, që në fuçinë e parë fillon merr fitim dhe jo siç ishte deri tani që fitimi për shtetin ishte i mundshëm vetëm pasi të rekuperoheshin të gjitha kostot për investitorin. Kjo është një risi që ne duam ta aplikojmë në çdo kontratë, aty ku kemi mundësinë të veprojmë. Kuptohet se fusha e Patos Marinzës është fusha kryesore e prodhimit të naftës në Shqipëri. Kemi rënë dakord me kompaninë Bankers Petroleum që të rinegociojmë disa terma. Nuk mund të flas para kohe se cilat do të jenë këto terma por është me rëndësi që edhe Bankers e ka kuptuar se ka ardhur momenti të rishikohen disa terma financiare. Kjo është arritur falë punës tonë, kërkimit të llogarisë, auditeve dhe në fund të fundit gjetjes së një mirëkuptimi me investitorin kanadez.

Të ndalemi pak tek mosmarrëveshja që kulmoi disa muaj më parë mes shtetit shqiptar dhe kompanisë Bankers. Është rënë dakord që kompania të tërhiqet nga arbitrazhi dhe të angazhohet një ekspert që do të japë vlerësimin kush ka patur të drejtë për auditimin e shpenzimeve të vitit 2011. Në çfarë faze është puna e ekspertëve?

Është një procedurë që sapo ka filluar. Vetëm para disa ditësh është bërë publike kjo gjë dhe filloi të zbatohet. Është një proces që do të marrë kohën e tij dhe do të vazhdojë disa muaj. Eksperti tashmë është përzgjedhur, palët po komunikojnë dhe do të vazhdojë procesi i punës. Nuk mund të komentoj më shumë për këtë pasi është një proces që do të marrë kohë.

Nëse çështja del në favor të Bankers, kompanisë do ti kthehen mbrapsht paratë që po i paguan tatimeve?

Është për tu parë se si do të dalë raporti. Kompania vazhdon të paguajë një pjesë të parave. Kemi edhe raportin e vitit 2012 për shpenzimet që pritet të dalë. Është një proces që do të trajtohet në mënyrë komplekse edhe me rinegocimin e marrëveshjes bashkë me vlerësimin që ka bërë AKBN-ja. Është një çështje që do të trajtohet në vazhdim.

Zoti ministër, si e konsideroni mbylljen e vitit 2015 për sektorin energjitik? Çfarë u bë në këtë vit dhe çfarë planesh ka më tej për 2016 ?

Mund të themi se 2015 është viti i stabilizimit të sektorit energjitik pasi për herë të parë sektori nuk cënoi Buxhetin e Shtetit. Sektori mbajti vetveten, prodhoi më shumë të ardhura, krijoi një stabilitet financuar për të gjithë zinxhirin e sektorit. Pra, krijoi një stabilitet edhe për prodhuesit privatë, edhe për  ndërmarrjet publike ndaj besoj se këtë ritëm duhet ta vazhdojmë. Çfarë do të thotë kjo? Ne kemi patur më shumë investime, mjafton tu them se në vitin 2015 ka qenë vlera më e madhe e investimit në sektorin energjitik gjatë gjithë këtyre viteve. Është investuar një vlerë rreth 16 miliard lekë në gjithë sektorin dhe përbën shifrën më të lartë deri më tani. Këto investime do të vazhdojnë për aq kohë sa edhe të ardhurat do të jenë stabël. Kemi arritur një rekord historik për minimumin e humbjeve të cilat arritën në 31%. Kjo është vlera më e ulët që ka parë Shqipëria për sa i takon humbjeve të energjisë që nga periudha postkomuniste. Gjithashtu, kemi patur një nivel arkëtimesh shumë të qëndrueshëm për vitin 2015. Padyshim, sfidat janë të rëndësishme për vitin 2016. Sfida më e madhe mbetet stabiliteti i pagesave pasi duhet që të vazhdojë por gjithashtu sfidë është edhe liberalizimi i tregut. Pra, dalja e disa klientëve të lidhur në tensionin 35 kV dhe më pas edhe ata të 20 kV deri në fund të vitit. Është një plan i përcaktuar në legjislacionin e ri të energjisë elektrike. Sfidë tjetër me rëndësi është krijimi i të gjithë bazës së nevojshme ligjore për krijimin e bursës së energjisë. Është në fakt një sfidë kjo jo e lehtë dhe shumë e vështirë ndaj po ndihmohemi edhe nga partner ndërkombëtare. Synojmë mbi të gjitha krijimin e një modeli të qëndrueshëm për energjinë, jo vetëm në aspektin e disiplinës financiare të pagesave që është më e rëndësishmja por edhe krijimi i modelit ekonomik në një treg të liberalizuar. Një model që krijon incentiva të mjaftueshme për investime në prodhimin e energjisë elektrike, rritjen e kapaciteteve gjeneruese dhe në këtë drejtim ne kemi kërkesa nga kompanitë. Po zhvillojmë disa procedura me investitorët në partneritet publik-privat. Synohet gjithashtu nxitja e përmirësimit të shërbimit të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve shqiptarë. Pra, në themel janë sfida të karakterit rregullator, transformues, të cilat do të kërkojnë angazhime, vullnet politik dhe llogari të sakta se çfarë impakti do të kenë. Pikërisht ndaj është shteti, për ta parë në një plan shumë më të gjerë e për të adresuar edhe shqetësimet që mund të vijnë nga reforma liberalizuese. E gjitha në mënyrë që sektori i energjisë elektrike, jo vetëm të jetë një gjenerues i madh i të ardhurave por të thithë vazhdimisht investime dhe të jetë një sektor i qëndrueshëm financiar. Kjo e fundit është me rëndësi pasi e bën investimin më të sigurtë sepse Shqipëria ka potenciale të mundshme e që duhen shfrytëzuar por pa cënuar parametrat e Buxhetit të Shtetit. Nuk duhet harruar se krizat në energjitikë shpesh herë përkthehen në kriza të Buxhetit të Shtetit duke kërcënuar stabilitetin financiar. Me pak fjalë, është një vit që do të shënojë thellimin e reformave në sektorin energjitik. Këto reforma janë përshëndetur, janë konfirmuar dhe këtë nuk e themi ne por është Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore që e cilëson reformë për tu përgëzuar, me rezultatet më të madha në 2 vite e gjysmë qeverisje. Qeveria shqiptare ka marrë kredite të jashtëzakonshme pikërisht për realizimin e kësaj reforme.

Intervistë marrë nga Balkanweb