Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë në Durrës 4 drejtues mjetesh pasi u kapën në shkelje, dy prej tyre të dehur, njëri shkaktoi aksident dhe një tjetër pa patentë.

U arrestuan për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasit:

P. D., 63 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar automjetin, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin Xh. Y., 30 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve;

E. A., 30 vjeç dhe R. D., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjëndje të dehur;

B. B., 39 vjeç, banues në Shijak, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Nisur nga aksidentet e ndodhura ditët e fundit, në disa qarqe të vendit, me pasoja për jetën, si dhe nga aksidenti i së dielës në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka kërkuar dje pasdite reflektim të menjëhershëm të strukturave të Policisë Rrugore, në të gjithë vendin, por dhe të strukturave të Rendit e Shqiponjave, me qëllim koordinimin e veprimeve për evidentimin dhe ndëshkimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve, që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.