Kosova regjistroi 3,206 raste të reja me koronavirus më 22 janar, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. Kjo është shifër më e lartë krahasuar me një ditë më parë kur Kosova regjistroi 2,943 infektime.

Rastet e reja dalin pas testimit të 11,883 mostrave, që i bie se 26.97 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen COVID-19.

Sipas raportit, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, nga koronavirusi janë shëruar 357 persona, ndërkaq 15,245 janë raste aktive.

Sa i përket vaksinimit, në 24 orët paraprake janë administruar 4,620 doza të vaksinave kundër koronavirusit.

Deri më tani, në Kosovë me dy doza të vaksinës janë imunizuar 799,939 persona. Me dozën përforcuese janë imunizuar 44,143 persona, ndërkaq 7,866 qytetarë kanë marrë dozën e tretë.

Në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ndërkaq, personat mbi moshën 18-vjeçare, që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh, mund ta marrin dozën përforcuese apo atë të tretë të vaksinës.

REL