Teuta do të përballet ditën e premte ndaj Vllaznisë, në supersfidën e vlefshme për javën e 6-të të Kategorisë Superiore, që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana”. Blutë vijnë në këtë përballje pas barazimit në transfertë ndaj Luzit në turin e 1/16 të Kupës. Mbrojtësi i skuadrës blu, Blerim Kotobelli, është optimist dhe beson se skuadra ku ai aktivizohet mund të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo sfidë delikate. Kotobelli nuk e mohon që Teuta ka mundësi bëjë mirë në këtë sezon dhe ka bindjen se duhet pak durim për të arritur aty ku duhet.

Çfarë mund të na thoni rreth ndeshjes me Luzin?

Ishte një ndeshje e mirë ndaj një kundërshtari që gjatë 90 minutave u mbrojt me forca të shumta, por dhe terreni i renduar nuk na shkoi përshtat ne, pasi nuk qarkullonim dot topin. Në ndeshjen e kthimit mbyllim llogaritë. Ky takim për ne tregoi se jemi mirë dhe gati për kampionatin.

Pra është Teuta gati për Vllazninë?

Po, po. Jemi gati për Vllazninë. Po shkon çdo gjë mirë , të gjithë lojtarët po stërviten maksimalisht dhe dëshira është e madhe për ta nisur më fitore pas pauzës.

Si e shihni ndeshjen ndaj Vllaznisë?

Vllaznia është një kundërshtar i fortë që po bën mjaft mirë në ndeshjet e fundit dhe është konsoliduar ndjeshëm me lojën dhe rezultatet. E vlerësoj historinë që ka klubi i Vllaznisë, për atë që ka dhënë këtë sezon, por ne jemi gati për të marrë 3 pikë në këtë sfidë.

A mund të rritet Teuta akoma më shumë?

Për mua, ne duhet të punojmë shumë fort dhe të tregojmë të njëjtën paraqitje nga sezoni i shkuar. Çdo gjë duhet të jetë në maksimum e perfeksion dhe ne vazhdojmë të punojmë për këtë gjë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të treguar më të mirën. Duhet të jemi të duruar dhe të vazhdojmë përpara.

Keni një thirrje për tifozët?

Dua t’i bëj thirrje edhe tifozërisë që për këtë ndeshje të mbushë shkallët e stadiumit, pasi me përkrahjen e tyre ne jemi më të karikuar për të arritur fitoren.