Mbrojtësi Blerim Kotobelli ka premtuar se Teuta do të rikthehet edhe më e fortë në sezonin e ardhshëm në Superiore, pasi në edicionin e fundit durrsakët vuajtën për të siguruar mbijetesën pa ndeshje shtesë.Kapiteni shprehet se sezoni i fundit ishte për t’u harruar dhe tashmë synimet janë për ta ringritur Teutën në nivele edhe më të larta.

Kotobelli, si ju duk sezoni i fundit i Teutës dhe a ju ka mbetur ndonjë gjë peng?

Sezoni i fundit ishte shumë i fort edhe me stres shumë të madh për ne. Gjithsesi, fundi ishte shumë i mirë për ekipin edhe për mua, sepse e mbyllëm kampionatin më fitore. Peng? Ndoshta janë disa pikë të lëna në shtëpinë tonë.

Po paraqitjen tuaj si e vlerësoni?

Paraqitjen time e vlerësoj pozitive, për ato çfarë dhashë në fushën e lojës. Mendoj se e mira nuk ka fund, por e rëndësishme ishte që si unë dhe shokët bëmë mirë në momentin e duhur të sezonit.

Çfarë mund të bënte më tepër Teuta apo kaq ishin mundësitë?

Teuta u krijua për të qenë lart, por siç e thash, pikët e lëna në shtëpi ndikuan në shumë aspekte. Patjetër që Teuta mund të bënte më tepër. Kemi lënë shumë pikë me ekipe të vogla, që, nëse do t’i bëjmë llogari, mund të ishim më lart. Nëse dëshiron të dalësh në katër më të mirat, duhet t’i fitosh këto ndeshje që quhen të lehta në letër.

Por sezonin e ri, çfarë i duhet Teutës që të bëjë më mirë?

Mendoj se Teuta duhet me patjetër të ruajë grupin, që është me e rëndësishmja. Normal që duhen përforcime dhe sa më shumë kontingjent të kesh, aq më shumë ke mundësi të fitosh. Besoj se do e tentojmë në sezonin e ri të jemi më lart.

Sa ka ndikuar ardhja e trajnerit Hodo te Teuta, pasi skuadra mori rezultate mjaft të mira?

Hodo ka merita të padiskutueshme në të gjitha rezultatet. Ka bërë një punë shumë të mirë, së bashku me stafin, përfshi Mark Dodaj dhe trajnerin Rizvani.