Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e konsideron hyrjen e Ramush Haradinajt në qeverisje pa logjikë kur dihet se në kohën kur ka qeverisur AAK ka pasur skandale të shumta.
Ai thotë se ata që ja kanë mësyer qeverisë kanë interes të zhvatin e jo t’i japin Kosovës.
“AAK është partia ë tretë opozitare dhe të pretendohet kryeministri është e tepërt. Ata nuk e kanë marrë besimin e qytetarëve, sikurse ta kishin marrë do të ishte krejt normale. Pastaj ne e dimë se edhe AAK-ja ka qeverisur dhe nuk ka qeverisur mirë, ka pasur edhe në atë kohë skandale sa të duash. Kështu që janë kërkesa të paarsyeshme, pastaj kur dihet se PDK ka kuadro, njerëz të përgatitur për të qeverisur vendin, krejt kjo zhurmë që po bëhet është më tepër për të mbuluar problemet reale që i ka Kosova sesa përpjekje për zgjidhjen e tyre”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi thekson se debatet për koalicion të mundshëm janë orkestrim për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale që ka Kosova dhe nga skandalet e njëpasnjëshme që kanë degraduar vendin.
Ai vazhdon të kritikojë instalimin e rrymave jodemokratike brenda PDK-së, duke thënë se aty po ofrohen njerëz për interesa të caktuara dhe se njerëzit e ndershëm, vizionarë po eliminohen.
Krasniqi vlerëson se futja e Kadri Veselit është vetëm zyrtarizim i pushtetit të tij brenda kësaj partie dhe se ai ka pasur ndikim të madh në përzgjedhjen e njerëzve qeverisës.
Sipas Krasniqit, Kadri Veseli nuk mund të sjellë ndryshime në PDK. Ai bënë të ditur se ka një numër të konsiderueshëm të pakënaqur brenda PDK-së, por se kanë frikë të flasin haptazi.