Një mjek gjerman i kujdesit të veçantë akuzohet për vrasjen e të paktën 15 pacientëve.
Sipas Die Welt, Johannes M. i cili punonte në Berlin, u arrestua në gusht të vitit të kaluar pasi dyshohej për vrasjen e 4 personave.
Përparimi i hetimeve solli rritjen e numrit të viktimave nga 4 në 8, më pas 10 dhe tani 15. Prokuroria dyshon se numri mund të jetë më i lartë.
Thuhet se 40-vjeçari e nisi ‘maratonën’ e tij makabre në vitin 2021 kur i dha një pacienteje 25-vjeçare një përzierje vdekjeprurëse barnash. Mendohet se ai e ka përsëritur këtë 15 herë në 3 vitet që pasuan përpara se të arrestohej.
Edhe pse ai punonte në një njësi të kujdesit paliativ për të lehtësuar dhimbjet e pacientëve me sëmundje të rënda apo në pritje të vdekjes, asnjë prej viktimave të dyshuara nuk ndodhej “në fazën akute të vdekjes” kur janë kryer krimet.
Prokurorët thonë se ai u jepte pacientëve një ilaç anestezie pa dijeninë e tyre përpara se t’u injektonte përzierjen vdekjeprurëse, përfshirë një relaksues muskujsh dhe u jepte fund jetës së tyre.
Gjithashtu, mjeku akuzohet për zjarrvënie në banesat e disa prej viktimave për të shkatërruar provat.
Çështja do të shkojë në Gjykatën Rajonale të Berlinit teksa hetuesit po përpiqen të zbulojnë krimet e tij.