622 turistë, kryesisht nga Franca, Belgjika e Luksemburgu kanë mbërritur në Durrës që nga fillimi i këtij viti me kroçierën “La Belle De L’Adriatique”.

Vizitorja sistematike e Portit të Durrësit, “La Belle De L’Adriatique” është bregëzuar sërish mëngjesin e sotëm në molin 4 të Terminalit Perëndimor, ku ka sjellë një grup tjetër me 162 turistë, të cilët përveç Durrësit do të zhvillojnë vizita të organizuara edhe në Tiranë dhe Krujë.

Agjencia pritëse “Intermed Shiping” bën me dije se tashmë anija turistike është ankoruar gjashtë herë radhazi në kalatat e portit më të madh të vendit dhe lundrimi i sotëm do të jetë i pari për sezonin e vjeshtës.

Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës (APD), bëhet e ditur se anija me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg vjen për të gjashtin vit në Durrës, por këtë vit do të ankorohet plot 6 herë në qytetin bregdetar.

“Bukuroshja e Adriatikut” ka lundruar nga Porti i Vlorës dhe pasdite do të vijojë lundrimin drejt Portit Bar të Malit të Zi.