Të shtënat me armë zjarri ndaj një personi me precedent penalë në Bulqizë kanë vënë në alarm policinë lokale.

Sipas policisë, 29-vjeçari F.T. ndërsa po lëvizte me automjetin e tij tip Land Rover me targa AA 489 RA është qëlluar me armë zjarri.

Në automjet janë dalluar dy shenja plumbash, ndërsa në vendngjarje ka disa gëzhoja.

Nga të shtënat, drejtuesi i automjetit nuk ka marrë asnjë lëndim. Policia ka nisur hetimet.

Njoftimi i policisë Bulqizë:

Informacion paraprak

Rreth orës 18.30, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Peladhi-Bulqizë janë dëgjuar të shtëna armësh.

Menjëherë janë nisur drejt vendit të ngjarjes forca të shumta policore dhe grupi hetimor, ku kanë konstatuar se:

Në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Land Rover me targa AA 489 RA, që drejtohej nga shtetasi F.T, 29 vjeç, banues në fshatin Peladhi.

Drejtuesi i automjetit nuk ka ndaluar por është larguar nga rruga që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes e më pas ka lënë automjetin në anë të rrugës dhe ka njoftuar Policinë.

Nga të shtënat drejtuesi i automjetit nuk ka marrë asnjë lëndim. Drejtuesi i automjetit levizte i vetëm me automjet.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa gëzhoja.

Nga kqyrja paraprake e automjetit janë dalluar dy shenja plumbi.

Forca të shumta policore të mbështetura dhe nga forcat e policisë së Drejtorisë Vendore Dibër, kanë ngritur pika të shumta kontrolli, po krehin zonën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Në lidhje me këtë ngjarje po hetohet intensivisht, pasi personi i dëmtuar mbart rekorde të theksuara kriminale dhe penale.