Policia e Shijakut arrestoi dje 48-vjeçarin Arben Haxhihyseni, i cili sipas të dhënave rezulton se ishte pjesë e bandës së Emiljano Shullazit.

Arben Haxhihyseni, banues në Elbasan, ishte shpallur në kërkim prej vitit 2015. Ai fshihej prej disa kohësh në qytetin e Shijakut, por, një ditë më parë, mori fund arratia e tij.

Arben Haxhihyseni është një personazh i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Krahas ngjarjeve të freskëta, ai akuzohet për një vrasje të ndodhur në Elbasan 15 vite më parë. Në vitin 2003, Arben Haxhihyseni akuzohet se ka vrarë me armë zjarri një bashkëmoshatarin e tij. Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur për motive banale në një lokal në Elbasan.

Asokohe, 35-vjeçar, Arben Haxhihyseni u largua nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim nga Policia. Haxhihyseni, në vitin 2014 është shpallur në kërkim për këtë ngjarje, pasi është dënuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burg për veprën penale “Vrasja”. 

Haxhihyseni, duke qenë pjesë e bandës së Shullazit, dyshohet se ka marrë pjesë në një ngjarje të ndodhur në vitin 2015, ku është dhunuar dhe gjobitur një biznesmen kafeje.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar atë me rreth 6 vite burg, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie e kryer në bashkëpunim”.