Në një deklaratë të tij Elton Arbana, kryetari i bashkisë Shijak, ka shprehur falenderimin e tij për besimin e dhënë nga Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste për rikandidimin e tij në zgjedhjet e 14 Majit.

Ai shprehet: “Ka disa çaste që shenjojnë jetën tonë. Sot është një i tillë. Besimi që mu dha sërish për të kandiduar si kryetar i bashkisë së Shijakut për mua është një privilegj dhe përgjegjësi.

Dua të shpreh falenderimin tim të përzemërt për Kryeministrin Edi Rama. Mbështetja e tij për qytetin e Shijakut ka qenë e pazëvendësueshme. Pas sfidës së tërmetit na bëri të kuptojmë vlerën e mbështetjes njerëzore dhe politike.
Faleminderit Z.Kryeministër që besuat te figura ime për ta çuar përpara zhvillimin e Shijakut.

Partia Socialiste është padiskutim forca që përkrah ëndrrat e të rinjve. Unë kam pasur një ëndërr për Shijakun që lidhej me domosdoshmërinë e një shprese të re që vetë ne shijakasit duhet ta ndërtonim.

Për këtë u përfshiva në Partinë Socialiste, për të ndikuar sadopak në përmirësimin e gjërave, si e vetmja hapësirë politike ku të rinjtë mund të zhvillojnë potencialin e tyre duke qenë zëri i çdo komuniteti.

Ka disa ngjarje që lënë gjurmë në të ardhmen e një qyteti, ashtu siç ndodhi me tërmetin.
Me rindërtimin në Shijak kanë ndryshuar fatet e mijëra familjeve që përfituan një shtëpi të re, falas. Pas rindërtimit po e shikojmë zhvillimin e Shijakut në shumë dimensione.

Dua që ëndrra për ta rilindur Shijakun dhe për ta transformuar në një qytet europian të vazhdojë dhe në 4 vitet e ardhshme. Kemi akoma shumë për të bërë.

Unë jam këtu për njerëzit dhe do vazhdoj t’i shërbej njerëzve dhe të ardhmes së qytetit me të njëjtin vullnet dhe devotshmëri. Të vazhdojmë të punojmë për fëmijët tanë. Ata kanë mundësinë të rriten më mirë në një qytet që dita ditës po merr një formë të re, duke u bërë më i bukur.
Le të lejojmë fëmijët të ëndërrojnë dhe ne të punojmë për të ardhmen e tyre.”