Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në përfundim të Kuvendit akuzoi kryeministrin Rama për bullizëm. Jashtë Parlamentit, ajo i shpreh se Rama bullizon jo vetëm qytetarët, por edhe deputetët dhe ministrat.

"Vjen një moment që të gjithë jemi njerëzorë, të gjithë kemi momentet tona të emocioneve, por e disata herë që ky kryministër rrugaç ka bullizuar shqiptarët në radhë të parë duke i konsideruar me organe gjenitale, me pas vazhdon dhe bullizon deputetët në Parlament, bullizon ministrat e tij. Ka pasur Shqipëria në 27 vjet kryeministra, por kurrë nuk kemi pasur kryeministër qesharak që krijon incidente të tilla papërgjegjshmëri dhe mbi të gjitha një deficencë mendore. Duhet ti bëjmë një propozim parlamentit që të gjithë ata që marrin poste drejtuese që nga Presidenti deri tek ministrat duhet të bëjnë analizën psikike dhe klinike."

Referuar protestës së 16 shkurtit, kryetarja e LSI tha se është protesta e gjithë shqiptarëve ndërsa u shpreh se e vetmja zgjidhje politike është qeveria kalimtare.

"Protesta është e gjithë shqiptarëve. Unë jam e bindur që dhe ju gazetarët do jeni në protestë. Ju para disa kohësh patë plumbat në shtëpinë e një gazetare. Çdo ditë e më shumë do të shikojmë një reagim kriminal të një njeriu në ikje që është i çmendur. Zgjidhja politike është e qartë, ajo që ka propozuar opozita në marrëveshjen e saj, qeveri kalimtare që i krijon shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme."