Kalimi i shërbimeve online që nga data 1 maj dhe mbyllja e sporteleve për qytetarët duket më i vështirë për moshën e tretë.

Vështirësitë në përdorimin e teknologjisë dhe aksesi në portalin e-albania i tremb këta të fundit, sidomos ata që u drejtohen sporteleve të Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

Disa nga pensionistët shprehen të revoltuar, sidomos ata që nuk kanë të afërm që mund t’i ndihmojnë për të aksesuar në portalin e-albania.

“Si t’ia bëj unë tani. Më thanë të sjell dokumentet më datë 4 maj. Tani më thonë të aplikoj te e-albania. Ku di unë ta përdor, s’di ku të shkoj, ku të paraqitem. S’kam asnjë që të më ndihmojë, i bie të rri pa pension dhe pa bukë tani”,- thotë një e moshuar për “DurrësLajm”.

“Më shpjeguan se duhet të aplikoj online. Unë s’di ta bëj, do vi vërdallë tani të gjej ndonjë zyrë që të më ndihmojë”,- thotë një tjetër pensionist, që sapo ka folur me sportelisten, e cila i ka rekomanduar të përdorë e-albania.  

Ndërsa për të tjerë, kalimi i shërbimeve online i lehtëson së tepërmi, pasi tashmë nuk do t’u duhet të qëndrojnë në radhë në sportele.

Duke nisur nga 1 maji janë me dhjetëra shërbime që do përmbyllen te portali e-albania. Në Durrës, gjendja civile e rajonit nr.3 do të jetë i pari sportel që nuk do të funksionojë më fizikisht, por vetëm online.  Pavarësisht kalimit të shërbimeve online, punonjësit e këtyre zyrave nuk do të shkurtohen nga puna, por do të vijojnë të ushtrojnë detyrën jo më nga sportelet, por përmes shërbimeve online.

M.B.