"E shkuara e tashmja dhe e ardhmja e familjes Karanxhaj" me këtë temë është hapur ekspozita e tre brezave të familjes Karanxha, në Galerinë e arteve pamore në Durrës.

Ekonomistja e dashururar pas artit të pikturës e të familjes, Diena, bashkëshortja e Dorian Karanxhës, i mblodhi punimet e bashkëshortit të ndjerë dhe të vjehrrit, i seleksionoi dhe përgatiti ekspozitën më të re në përkujtim të tyre.

Punimeve ju shtuan edhe pikturat e vajzës së tyre 7-vjeçare, Esielës së vogël, e cila trashëgon nga i ati dhe gjyshi talentin dhe dhuntinë për të dhënë jetë e ngjyra në pikturë.  

Dorian Karanxha u nda nga jeta në moshë fare të re duke lënë pas një vajzë të vogël, artiste shumë premtuese. Ai mbaroi Akademinë e Arteve të bukura në Romë dhe konsiderohej një prej piktorëve më premtues por që humbi jetën në moshën 37-vjeçare si pasojë e atakut të miokardit.

Ramadani teksa përgadiste ngjyrat e telajove, frymëzonte të birin për artin, e kryesisht pikturën. Doriani u rrit me këtë frymë nga i ati i cili ishte i pari kimist në Shqipëri që prodhoi ngjyrën e kuqe.

Diena bashkëshortja e Dorianit vijon që me të njëjtën frymë të pasionit për pikturën, të rrisë edhe të bijën 7-vjeçare Esiela, e cila mban emrin e një piktoreje të lashtësisë greke.

Deri tani vogëlushja numëron 30 punime të saj, 6 prej të cilave në telajo. Mbi 80 punime janë vlerësur maksimalisht nga të pranishmit në ceremininë e çeljes së ekspozitës.

Punimet vijnë në akuarel, telajo, llak, bardh e zi. Nuk mungojnë as punimet artizanale të bëra me dorë nga Ramadan Karanxha. Motivi i punimeve të Ramadanit dhe Dorianit vjen nga jeta e prditshme e tyre, në natyra e qetë, vazot e luleve, ku mbizotëron ngjyra e kuqe.