Të shtunën në mbrëmje u çel në Durrës, edicioni i 38-të i KUPËS EUROPIANE të SHAHUT për KLUBE dhe KUPA e 27-të e KUPËS EUROPIANE të KLUBEVE për FEMRA. Kampionati, që këtë vit shënoi numrin REKORD në pjesëmarrje – 110 EKIPE, nga 34 FEDERATA EUROPIANE – startoi me ceremoninë hapëse, pranë një resorti në Golem, vend ku do të zhvillohet turneu.

Lojtarët, të ftuarit dhe zyrtarët u mirëpritën nga Presidenti i Unionit Evropian të Shahut, Zurab Azmaparaishvili, Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Unionit Evropian të Shahut, Erald Dervishi, Presidenti Nderi i Federatës Shqiptare të Shahut, Eduard Shalsi dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli.

Raundi i parë është ditën e diel, më 1 tetor në orën 15:00. Ndeshjet do të luhen në 7 raunde, sipas sistemit zvicerian, me kohë kontrolli 90 minuta, për 40 lëvizje plus; 30 minuta; për pjesën tjetër të lojës; me një rritje prej 30 sekondash për lëvizje, duke filluar nga lëvizja e parë.

Fidel Ylli foli për rëndësinë dhe prestigjin që ka vendi të presë një turne kaq madhor shahu: “Ky eveniment është shumë i rëndësishëm për ne, sepse sporti nuk është thjesht një garë. Sporti është ekonomi, sporti është imazh, sporti është gjithçka për vendin. Dua të falënderoj ECU që zgjodhi Shqipërinë si mikpritëse të këtij eventi!”