Banorë të 4 pallateve të lagjes numër 5 në Durrës presin një përgjigje nga ana e bashkisë se çfarë fati do kenë shtëpitë e tyre të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s, objektet e të cilëve edhe pse janë caktuar për t’u shembur, ende nuk ka asnjë shenjë që demolimi i tyre të nisë.

Një përfaqësi e tyre kanë dalë në protestë para bashkisë ditën e sotme, duke kërkuar nga bashkia një përgjigje. Ata deklaruan se kanë nënshkruar një peticion dhe do ta dërgojnë në Kryeministri.

“Prej muajsh na kanë thënë që pallatet tona do të shemben, na kërkuan të largojmë mobiljet, por ende nuk kanë nisur asnjë punë. Kryetarja për zgjedhje erdhi dhe na tha që do të shemben, por nuk bëhet shpejt ky proces pasi janë të keq-pozicionuara. Ne kemi nënshkruar një peticion që do ia drejtojmë kryeministrit, pasi Bashkia Durrës është pushim çdo ditë dhe nuk na jep zgjidhje”, tha një banor.

Përpos vonesës një tjetër shqetësim i banorëve të cilët protestuan mbeten dhe qiratë të cilat për shkak të sezonit turistik, kanë nisur të ndryshojnë duke u rritur çmimet.

“Ne që kemi shtëpitë në plazh, tani na kërkojnë të largohemi pronarët e banesave, sepse nuk duan më 200 mijë lekë të vjetra qira, por duan të fitojnë më shumë me turistët. Ku të ikim ne?”, shprehet një banor.

Në fund të protestës banorët pritet të dorëzojnë peticionin në kryeministri për të pritur një përgjigje dhe reflektim në këtë proces i cili në Durrës është ende larg përfundimit.