Nga BUJAR QESJA

Jo rrallë, nuk është e nevojshme të vrasësh mëndjen, për të nxjerrë tema për të shkruajtur. Veçanërisht kjo, kur është fjala për Durrësin dhe durrsakët. Nuk dua ta besoj se kemi mbetur pak. Nuk dua të ndalem këtu, ndonëse më kujtohet takimi befasues me një mikun tim të mënçur. A e dini si më tha?

-Kur lëviz nëpër Durrës, pak njerëz përshëndes, pak njerëz njhoh. Dhe përgjigjen e mora kur shkova në varreza. Atje të gjithë i njihja. Atje të gjithëve u “flisja”.

Komentin për këtë, secili me lehtësi mund ta bëj. Por dua të këmbëngul në diçka tjetër, që më jep jetë, më jep kënaqësi, më jep ëmbëlësinë e fillimit të një dite të re, të bukur, plot ajër dhe dritë. Dhe kjo diçka tjetër është, kur takoj me durrsakë. Absolutisht kjo për të kundërshtuar mjedise të tjera, qoftë me këdo dhe nga ç’vënd vjen.

Por takimi me durrsakët, që jo rrallë e shoqëroj me përemrin të mi, apo i imi, më vendos në qiellin e shtatë. Nuk është trashigimi kjo dukuri, thjesht nga babai im i shtrenjtë Xhafer Qesja, por edhe nga ndjesia ime, nga punët që kam bërë dhe bëj. Kur jam me durrsakë, veçanërisht në kafetë e mia të mëngjesit, zhytem thellë në meditime dhe magjia e kënaqësisë, e të ndenjurit me ta nuk mbaron.

Kur mblidhen durrsakët! Të gjithë në mënyrën e vet, e provojnë këtë gjë. Më janë bërë takimet me durrsakët, bashkëshoqëruesit dhe bashkëudhëtarët e mi të kahkohëshëm dhe të përjetshëm, veçanërisht në kafetë turke të mëngjesit, që mezi pres të zbardhë dita e re.

Vështroni këtë foto! Nga e majta është Besnik Biduli, Ismail Burgija, Bajram Burgija, Bujar Domi, Bujar Qesja dhe Flamur Jakupi. A kam të drejtë që pohoj, se ndjehem si në qiellin e shtatë? A kam të drejtë, që në këtë mjedis të vendosë të gjykoj që jam i privilegjuar? A kam të drejtë, të strehoj mendimin se jam në ëndërr?

Mos po e zmadhoj këtë ndjesi dhe po e ngrej kot në qiell? Sado vitet po shtyjnë në thellësinë e moshës, fiqiri nuk më ka lëvizuar, për të thënë që kur jam me durrsakët fluturoj në krahët e mirësisë, bujarisë, fisnikërisë, dashurisë, joshjes miqësore të tyre. Besnik Biduli është piktor, por edhe llamarinist i aftë. Punëtor i madh. Vëllezërit Bajram dhe Ismail Burgija profesionistë të aftë, por miq të kahershëm. Po kështu Bujar Domi. Flamur Jakupi ka lënë Italinë, pasi është ende në nostalgjinë e viteve, ku së bashku punonim në pallatin e njohur “Rinia”. Me 26 prill 2023, në pallatin e vetëm të kulturës të Durrësit, do të promovojë librin: Kujtesë apo histori?

Kur mblidhen durrsakët, nuk shahet njeri. Nuk fyhet askushi. Çfarë janë durrsakët? Nuk e dini? Punëtorë të mëdhenj. Profesionistë, zanatçij të dorës së parë. Të qetë, por të vëmëndëshëm. Të urtë, por nuk ja hedh. Bëjnë sikur janë indiferentë, por janë më aktivë se aktivët. Shprehen pak për atë që dinë, por nuk thonë asgjë kur flitet për të tjerët.

Janë në punë të tyre, nuk të bezdisin, por të thumbojnë dhe janë “kryengritës” kur kërkon t’ia hedhësh. Nuk duan poste. Nuk priren për pozitë. Por detyrimet i plotësojnë, pa lënë asgjë mangut. E duan njëri tjetrin dhe komunikojnë ëmbël. Fyerjet nuk i kanë matës të karakterit. Punojnë dhe mësojnë për t’u kulturuar dhe nuk u shkon ndërmënd të të shesin tru të tepërt. Të përmëndin se ku gabon, por edhe të lënë të biesh viktimë e mëndjemadhësisë tënde.

Mund të vazhdoja gjatë, në cilësitë e durrsakëve të mi. Janë shumë të mirë, prandaj dhe mezi pres të zbardhet, për të vrapuar tek takimet me ta. Janë kafetë e mëngjesit, që na ofrojnë. Lutemi për të kaluar ditë sa më të veçanta, tërheqëse, mbushur me lëng jetësor. Mërzitemi kur mësojmë për sëmundjet e të afërmëve, miqëve dhe shokëve. Shprehim hare kur ndeshemi me gëzime, me suksese. Këtu durrsakët, bëhen gjithnjë bashkë.

Kur mblidhen durrsakët! Shans më të madh nuk ka. Mblidhet e bukura dhe e mira, aliazhi më tërheqës i kësaj jete tonën, veçse jo shumë lakmuese. Por durrsakët e amortizojnë të keqen, të ligën, të mbrapshtën me pasurinë e shpirtit të tyre, me mjaltin që buron nga zemrat e pastra dhe të dlira.

Kur mblidhen durrsakët! Ëndërra vazhdon.

Bujar Qesja
Durrës: 26 mars 2023

Në pamje, nga e majta: Besnik Biduli, Ismail Burgija, Bajram Burgija, Bujar Domi, Bujar Qesja dhe Flamur Jakupi.