Prej disa ditësh ka nisur në portin e Durrësit kthimi i emigrantëve në vendet e BE-së, ku jetojnë e punojnë prej vitesh. Sipas statistikave të Autoritetit Portual Durrës, rreth 60 mijë udhëtarë janë përpunuar javën e fundit, 44 mijë prej të cilëve në dalje dhe 16 mijë në hyrje.

Ajo që vihej re paraditen e sotme në portin më të madh në vend ishte përpunimi i shpejtë i udhëtarëve dhe evitimi i radhëve në pikat e kontrollit të dokumenteve.

Por cilat janë përshtypjet me të cilat po largohen emigrantët nga pushimet e kaluara në atdhe? Shumë prej tyre shprehen për mikrofonin e “DurrësLajm” se çmimet e larta, që nuk justifikonin aspak shërbimet ishin shqetësimi i tyre kryesor.

Ka dhe nga ata që kanë mbetur shumë të kënaqur, por flasin për ndryshime që duhet të bëhen në të ardhmen për ta bërë edhe më mikpritëse Shqipërinë.

Përgjatë gjithë sezonit turistik, të gjitha strukturat që operojnë në pikën më të rëndësishme kufitare të vendit janë angazhuar maksimalisht për përballimin me sukses dhe pa probleme të fluksit. Deri në fundjavë, tragetet do të operojnë me dopio corsa për të përballuar numrin e lartë të pasagjerëve në dalje nga porti i Durrësit.  

M.B.