Prej 5 vitesh është kthyer në trajnere jete dhe biznesi. Fillimisht masterclass-et e saj zhvilloheshin në anglisht, por me kërkesën e shtuar të grave dhe vajzave shqiptare për t’i mbajtur ato në shqip, ajo e kuptoi se duhej t’i rikthehej komunikimit në gjuhën amtare.

Po flasim për Ledi Vokshin, 38-vjeçaren nga Durrësi, që prej disa javësh është zhvendosur nga SHBA në qytetin e lindjes për të organizuar masterclass-in e radhës. Është i pari në shqip që synon të mbledhë fizikisht 222 gra dhe vajza shqiptare nga qytete dhe treva të ndryshme, në hotel Adriatik, më datë 1 shtator.

Dy të mëparshmit janë zhvilluar virtualisht, kjo dhe për shkak të pandemisë Covid-19, por dhe distancave që duhet të përshkojnë pjesëmarrëset për të qenë të pranishme të gjitha bashkë në një sallë të vetme.

Por çfarë e shtyu Ledin, që publiku shqiptar e kujton si këngëtare të rrymës muzikore hip-hop, që të kthehet në një trajnere apo mentore biznesi për cilëndo grua që kërkon t’i bashkohet trajnimeve të saj?

Cili ishte momenti kur ajo vendosi ta kthente në mision ndihmën ndaj grave dhe vajzave, që ato të hidhnin hapat e para për ngritjen e një biznesi, por pse jo në të ardhmen të kthehen në një histori suksesi dhe të rrëfejnë para simotrave të tyre historinë me sfidat, përpjekjet por edhe arritjet personale?

Çfarë synon Ledi Vokshi të arrijë përmes këtyre trajnimeve dhe cilat janë sfidat e saj në komunikimin e vazhdueshëm me gratë dhe vajzat shqiptare?

Për të marrë përgjigje për këto, por edhe shumë pyetje të tjera, “DurrësLajm” zhvilloi me të një intervistë që mund ta ndiqni të plotë në videon e mëposhtme: