Premtimi i Lewis Hamilton dhe Ferrarit për të mos menduar për vitin 2025, kur ulja e pilotit anglez te “kokëkuqja” do të bëhet konkrete, është fisnikëri dhe korrekte në respekt të Carlos Sainz si dhe Mercedes. 

Pas deklaratës së Vasseur, i cili i premton Sainz mbështetje “deri në kthesën e fundit” pavarësisht largimit të afërt, edhe shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 foli sërish për të, duke zbuluar një sfond kurioz: 

“Kalimi te Ferrari ishte zgjedhja ime, as prindërve nuk ua thashë! Doja ta bëja për veten dhe ndjeva se duhej të gjeja se çfarë ishte më e mira për mua”, tha Hamilton për BBC.

Piloti britanik gjatë intervistës kujtoi ditët e marrëveshjes në Maranello:

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt, unë e njoh Vasseur për një kohë të gjatë. Isha i emocionuar nga ardhja e sezonit të ri, por nuk e dija se çfarë rezervonte e ardhmja për mua ose për sa kohë do të vazhdoj të garoj. Tani mund të them se jam shumë i motivuar për të vazhduar”.

Më pas 39-vjeçari shpjegoi se oferta nga Ferrari erdhi në kohën e duhur dhe ai nuk e mendoi dy herë: “Nuk kisha shumë kohë për të menduar dhe ndoqa instinktet e mia, duke shfrytëzuar rastin”, tha Hamilton, i cili ka më shumë fitore në historinë e Formula 1.