Nga: Shpëtim Kodra
Shaban Murati (2.9.1945 -14.2.2025) “Mjeshtër i Madh” (në diplomaci). Një personalitet poliedrik mjaft i njohur. Shkrimtar, historian,studiues, lektor i lëndës së estetikës, publicist, analist profesionist diplomatik. Me një përvojë 55-vjeçare në fushën e politikës së jashtme. Autor i 20 librave dhe i artikujve të panumërt për çështjen kombëtare shqiptare, për diplomacinë, për marrëdhëniet ndërkombëtare. Kriteri kryesor i këtij diplomati me aftësi të rralla, ka qenë gjithnjë shërbimi, në përputhje me interesat e kombit.Një zë i fortë, i qartë e pa ekuivoke, për të cilin diplomacia duhet t`i shohë problemet me gjakftohtësi e me racionalitet, pa u nisur nga interesa të momentit, apo nga një politikë konjunkturale.Kush ndjek një mision qytetar, intelektual e atdhetar, mbetet i paharruar. E vërteta na çliron, na bën më humanë, më të drejtë e të pamanipulueshë. Erl Murati:”Idealizmi i thellë e shtynte babain tim të shkruante e të punonte, deri në fund të jetës; me guxim, argumente e dinjitet”.
Themelues i një modeli kulturor kritik në diplomacinë shqiptare. Veprat e tij mbeten një manual me interes, në përshtatje me sfidat e reja të integrimit euro-atlantik. Diplomacia për tëkërkon aftësi, maturi, trajtim me seriozitet, mençuri e shkathtësi tëçështjeve delikate; veçanërisht në marrrëdhënie me shtete, ku fryn një erë e fortë nacionalizmi shovinist. Edhe në librin e fundit “Antitabu -si katarsis i mentalitetit shqiptar”shfaqet studiuesi vizionar, me ndërgjegje të pastër kombëtare, si apostull i vërtetë lirie e shqiptarie, që kërkon vetëm drejtësi, për vendin e për popullin tonë, aq shumë të vuajtur nga padrejtësitë historike. Me një stil sugjestiv, herë të qetë e herë në formë invektive, thyen tabutë, mitet e rreme, të ushqyera nga paranojat në sistemet jo demokratike . Demokracia -pushtet i popullit (demos-kratos), kur ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve tëzgjedhur lirisht. Demokracia liberale promovon e mbron realisht të drejtat dhe liritë e individit. Demokracia nënkupton një shtet ligjor, drejtësi, transparencë e komunikim me publikun. Në ditët tona ka lindur termi “demokraturë”,që nënkupton një pushtet autokratik, por në dukje demokratik e ku janë ricikluar mendësi e personazhe të diktaturës në politikë, drejtësi, ekonomi, media e ne diplomaci. Në parlament ka pasur deputetë të paaftë, të korruptuar e të inkriminuar. Që nga Platoni e Sokrati është kërkuar që politikanët të vinin nga sfera e kulturës. A.Smith:”Kultura duhet të ushqejë institucionet demokratike.” B.Merxhani thonte:”Nga kultura në politikë”. Kultura kushtëzon pasurinë materiale e shpirtërore të kombit.
Eksploratori J.Cook më 1777, gjatë një udhëtimi në Tongo (Polinezi) mori termin “taboo”, me kuptimin “i ndaluar” dhe e futi në fjalorin anglez. Në origjinën e saj, fjala “tabu” shënonte figurat e krerëve të fiseve, si dhe të përfaqësuesve më të rëndësishëm të fesë, që ishin të rrethuar nga një kompleks ndalimesh, si persona të paprekshëm.Ateizmi komunist nuk e mohoi Zotin; vetëm e zëvendësoi. Santiago Carrillo, sekretar i PK Spanjolle në vitet 1960 -82, shprehej:”E habitshme që gjithë udhëheqësit komunistë në vendet e Lindjes dalin hyjnorë.”Mitomania përbëhej në diktaturë, nga manipulimi i fakteve, falsifikimi i të vërtetave; për ta paraqitur udhëheqësin të gjithëdijshëm e të gjithëpushtetshëm. Mitet e rreme, të ushqyera, të mbrojtura e të frymëzuara nga paranojat diktatoriale rrojnë aq, sa rrojnëvetë diktatorët. Ndërsa mitet dhe simbolet,që ushqejnë ndërgjegjen kombëtare, jetojnë pa kufi. Në librin e tij prof.Sh.Murati del në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të së vërtetës, si një mendje e lirë, e angazhuar, e paepur, për një diplomaci me bosht kombëtar, në kërkim për një identitet shtetëror e kombëtar të diplomacisë shqiptare.
Për të përligjur para lexuesit shprehjen “në gjurmët e Konicës”, lidhur me analizat historike, diplomatike dhe gjeopolitike të Sh.Muratit, po sjell disa shprehje, me tingëllim aktual të Faik Konicës: “Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar. Koha, kur rrojmë,është koha e reklamës. Kur s`ka vepra konkrete, ka retorikë. Të përpiqemi të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët (njëshat). Shqiptari duket si i bërë, për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm. Sa e sa marrëzi e poshtërsi janë bërë, në emrin e së gjorës Shqipëri! Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, të cilëve u mungon idealizmi. Shqiptarët e mjerë presin nga Evropa që t`I shpëtojë. E kam zemrën mbushur me lot, sa s`qaj dot.”
Libri që analizojmë e sheh katarsisin si një proces terapeutik, purifikues, shpirtëror e mendor, i cili ende nuk është kryer , pas një sistemi, ku mungonin të gjitha liritëqytetare e ku sundonin dhuna, terrori, censura, propaganda. Sokrati:”Duhet të kesh kaluar më parë nga tragjedia e dëshpërimit, që të arrish te komedia e të qeshurit. Ky s`është fillimi, por përfundimi i filozofisë”.Nënqeshim, sa kujtojmë absurdin. Stigmatizimi i të keqes, shëmtisë e mizorisë, realizohet përmes figurave letrare, si ironia e sarkazma, por edhe pyetjeve retorike, që vihen si tituj të shkrimeve e që nënkuptojnë përgjigjet. Mbahet një qëndrim demaskues ndaj intelektualëve të indoktrinuar, të cilët, pas një karriere politike në diktaturë, në kujtimet e tyre shpërfaqin një portret të rremë demokratik. Invektiva (lat.) ose nama, si figurë stilistike, shërben këtupër demaskim fenomenesh a personash.
Autorin e kanë intriguar plagët e pambyllura, armiqësitë e pafundme, urrejtjet patologjike, nacionalizmat shovene, perspektivat e zymta dhe ka mbajtur qëndrime e interpretime konkrete të qarta, për politikën rajonale e ndërkombëtare. Për të, asnjë qeveri s`e meriton të quhet shqiptare, nëse në programin e saj nuk vëçështjen çame, qëështë problem politik e historik. Sh.Murati mban qëndrim ndaj shprehjes:”Ne grekët i kemi vëllezër”. “Vëllai grek”, që prej 85 vjetësh, mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Në 111 vite shtet Shqipëria ka pasur vetëm konflikte dhe rivendikime territoriale nga Greqia. MPJ e Greqisë, më 13 maj 2023 lëshoi komunikatën me rivendikimin territorial për Himarën, si “qendër sinjifikante e minoritetit kombëtar grek.” Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias është shprehur:”Skënderbeu është hero i shqiptarëve dhe i grekëve”. Thënia tjetër:”Skënderbeu me nënë serbe”. Qarqet shoviniste, ekstremiste greke e serbe , synojnë të demontojnë dy boshtet madhore të ideologjisë sonë kombëtare: origjinën ilire dhe prejardhjen e Skënderbeut, i cili i ka thyer kufijt kohorë e gjeografikë.
Një shkrim titullohet:”Kur do të ketë Tirana guximin t`i kujtojë Athinës genocidin e 1914-ës?” Ishte një genocid shtetëror, etnik e fetar, që synonte spastrimin etnik të popullsisë së jugut të Shqipërisë.Papa Kosta Tomori, dëshmitar okular, botoi në SHBA më 1917 librin “Barbaritë greke në Shqipëri”. Më 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, Turhan Pashë Përmeti kërkoi zyrtarisht reparacion nga Greqia për masakrat ndaj shqiptarëve. Tirana nuk po ngre një memorial në përkujtim të mijëra shqiptarëve të masakruar nga genocidi grek. Gjeneral Telini, që njohu tokat shqiptare nëçamëri, u vra nga andartët grekë më 27 gusht 1923. Më 1933 në Tiranë u ngrit një statujë për nder të tij. Më 1945 statuja u hoq e s`po ringrihet më . Ish ministri i Jashtëm grek, Jorgos Zografis, në shkurt 1914 shpalli në Gjirokastër Republikën Autonome të Epirit të Veriut. Përshkruhet gjithashtu mbrojtja e dhimbshme e Janinës (tetor 1912 -19 mars 1913). Rënia e kryeqendrës së Epirit, shënoi rënien e çamërisë. Pas vetëm tri ditësh, më 22 mars 1913, Konferenca e Londrës ia njohu Janinën Greqisë. Fati tragjik i 200.000 çamëve myslimanë. Genocidi i Napolon Zervës, me bashkëpunëtorët e tij në vitet 1944-45, njëlloj si genocidi millosheviçian.
Miti i rremë serb për betejën e Fushë Kosovës (1389) mohon koalicionin ballkanik dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve, duke mbrojtur konceptin “Kosova është djepi i Serbisë”. Historianë me dinjitet, në Greqi e në Serbi shpalosin të vërtetën. Dimitrije Petroviq në librin”Luftimet në Toplicë në vitet 1877 -1878” pohon spastrimin etnik, shpërnguljen me forcë nga Toplica, Leskovci, Nishi e Vranja, të mbi 300.000 shqiptarëve. çeddomir Petroviq:”Ushtria dhe policia, nën kontrollin e shtetit, dëbuan mbi 850.000 shqiptarë nga Kosova. Kërkoj falje për të gjitha krimet e popullit tim kundër shqiptarëve.” Enciklopedia serbe e vitit 1921 e cilësonte Shkupin vendbanim ilir. Si grekët, edhe serbët mund të ndjekin shembullin gjerman e të kërkojnë falje për krimet e së kaluarës. Presidentët gjermanë, jo vetëm i kanë pranuar krimet naziste, por edhe kanë kërkuar ndjesë në Varshavë më 23 gusht çdo vit .Pakti i mossulmimit i 23 gushtit 1939 u fsheh për 80 vjet. Moldavia më 20.8.2023 i ndaluan hyrjen Goran Bregoviqit, adhuruesit të flaktë të Rusisë dhe Putinit. “ Njëlloj veproi edhe Polonia që nuk mund t`I harrojë krimet ruse në Poloni.
Autori pyet:”Përse Akademia e Shkencave dhe qeveria shqiptare nuk e kanë mbrojtur çështjen shqiptare tëçamërisë dhe Kosovës, kundër presidentit Vuçiç dhe Micotaqisit?”. Vuçiç e Lavrov përuruan bustin e Millosheviçit në Rusi më 14.6.2022, duke e legjitimuar atë. Ksenofobia te serbët e grekët shitet si nacionalizëm. Lavrovi pranoi që inisiatori i projektit ekonomik rajonal “Open Ballkan”, shpalosur në Shkup më 29.7.2021, ka qenë Vuçiç. Udhëheqësit e Shqipërisëi kanë kërkuar aleatët brenda Ballkanit, te fqinjët, kurse udhëheqësit e shteteve ballkanike i kërkuan jashtë Ballkanit dhe fituan favore e territore. Problematika e trajtuar në librin e Shaban Muratit është mjaft e gjerë, por gjithnjë e bazuar në fakte, data të sakta dhe argumente bindëse. Libri jo vetëm sjell njohuri të reja, por ridimensionon edhe fakte të njohura, duke përdorur njëstil tërheqës.
Në shkrimin “Respekt për gazetarin rus Leon Trocki” thuhet:”Një ndër të paktët dëshmitarë okularë, i cili shkeli viset shqiptare, si korrespondent lufte, ishte Trocki. Ai i pa me sytë e vet masakrat serbe mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë e Maqedoni dhe ia bëri të njohur publikut ndërkombëtar masakrat tronditëse. I botoi më 23.12.1912 në gazetën “Kievskaja misl”.Në vitet 1912 -1913 udhëhoqi një fushatë të gjerë denoncimi, që pati rezonancë në Rusi. Ai shkruan:”Nuk ishin raste të veçanta e të izoluara. Iu afruam Kumanovës. Të gjthë fshatrat shqiptare ishin kthyer në shtëllunga zjarri. Ishte ky një shembull i një lufte të tmerrshme shkatërruese. Në stacionin e trenit njëçetnik me thikë në dorë, më tha:”Këta janë arnautë. Tani do t`I ther…Me të rënë nata, në shtëpitë e shqiptarëve kryenin vrasje e plaçkitje.” Më 1928 Trocki u dëbua nga Rusia. U vra në Meksikë më 1940.
Në shkrimin”Gjeopolitika e rilindasve, më e saktë se e udhëheqësve tanë të 30 viteve” thuhet:”Asnjë rilindas nuk e zhvilloi veprimtarinë kombëtare në Serbi, apo në Greqi. Rilindasit tanë mendjendritur e kuptuan që as Greqia, as Serbia s`mund të ishin,në atë kohë dhe as në të ardhmen, mbështetës të kombit shqiptar. Qendra kryesore e veprimtarisë kombëtare të rilindasve shqiptarë, jashtë vendit, ishte Stambolli.Më 1997 qeveria turke, përmes një note diplomatike, ndaloi hyrjen e ushtrisë greke në territorin shqiptar. Në hartën e Turqisë evropiane (Strasburg 1828), Epiri shënohej: Shqipëri e poshtme. Në Turqi ka edhe shoqatë “çamëria”. MPJ e Turqisë ka paraqitur një raport të plotë për problemin çam, me fakte e prova, lidhur me autoktoninë e shqiptarëve tëçamërisë, si dhe genocidin e spastrimin etnik, të kryer nga grekët. Shqiptarët gjithnjë kanë dëshiruar të jetojnë në paqe me fqinjët, por ata janë përpjekur gjithnjë për të penguar zhvillimin ekonomik e demokratik të Shqipërisë. Serbët dhe grekët duhet të marrin në konsideratë aleancën strategjike të Shqipërisë me Turqinë, Kroacinë, apo Italinë. Një pyetje lind natyrshëm:Përse nuk ftohen akademikët serbë, grekë e maqedonas në konferencat albanologjike, ku mund të shpalosin e të ballafaqojnë tezat e tyre? Nëse ftohen e nuk marrin pjesë, vërtetojnë që nuk janë në gjendje t`i mbrojnë ato teza. E vërteta gjthnjë e ka kohën. Krimet kundër njerëzimit nuk kanë afat gjykimi. Të dëshmosh e të pranosh krimet është një akt moral e I përgjegjshëm. Niveli i ulët i demokracisëështë pasojë edhe e harresës historike. Pa histori shkencore, s`ka identitet të përcaktuar dhe dinjitet kombëtar.
Një shkrim tjertër ngre pyetjen:”Kur do të hetohet tragjedia, apo tradhtia e shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë?” Ndodhi me një urdhër suprem, pikërisht, kur në Jugosllavi, sapo kishin nisur aksionet e përgjakshme të Serbisë kundër popujve jo serbë. Av.Spartak Ngjela, në emisione televizive ka përsëritur deklaratën e një deputeti në parlamentin serb:”Me 42 milion dollarë, ne shkatërruam 500 uzina e fabrika në Shqipëri në vitet 1992 -1996”. Te “Shqipëria maoiste” thuhet:”Shqipëria ështëi vetmi vend në botë,që ka realizuar devizën e Maos “fshati të rrethojë qytetin”. Në Shqipëri fshati, jo vetëm e rrethoi,e pushtoi, por edhe e asimiloi qytetin. Pre e kësaj çmendurie të organizuar, ranë tokat, pronat, objektet shtetërore, madje edhe pronat private në qytetet kryesore. Ky fenomen destruktiv nuk ka ndodhur në asnjë shtet ish komunist. Partitëdhe qeveritë e justifikuan këtë asimilim të kobshëm me përrallën e “lëvizjes së lirë demokratike”.Legalizimet e paligjshme me ceremoni zyrtare, i shërbejnë një strategjie antishqiptare dhe antidemokratike. Duhen qindra vjet të arrijmë nivelin e zhvillimit shoqëror, ekonomik e kulturor evropian”.
Intelektualët e shquar të fushave të ndryshme nuk i mungojnë Shqipërisë, por zëri i tyre nuk dëgjohet. Ata nuk u duhen partive. Në sh.XIX A.Gribojedov shkroi komedinë e famshme “Gore ot uma” (Mjerë kush ka mend”). Konica:”Shqiptarët që janë quajtur një popull “plot dinjitet tragjik”, sot janë bërë qeshja e botës. Pyetja është:Kush e ka fajin, që zbritëm nga tragjedia në operetë? Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët. Levantinizëm do të thotëspekullim, dinakëri, dyfytyrësi, kozmopolitizëm, humbje e pastërtisë etnike, racore, mungesë autenticiteti. Levantinët shihen me dyshim, si agjentë të pushtuesve e të huajve, në përgjithësi. Levantinët e shtypur dashurohen me shtypësit. Humbje e pastërtisë etnike, racore, pabesi. Ata nuk i përshtaten vizionit të lëvizjes kombëtare. Ndjenja e thellë dhe e fshehtëe levantinëve, është besimi se çdo i huaj është më i mirë se ata. Shpirti i tyre vuan nga kompleksi i inferioritetit. “Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë”-shprehet patrioti i madh F.Konica. Levantinët e çkombësuar thonë se shqipja është e pazonja, për të shprehur ndjenja të holla. Regjisori kroat Buljan, përkundrazi, shpreh aftësinë e gjuhës shqipe, si më sonorike; që ka tinguj të fortë, muzikalitet, tragjedi. Ai mund ta kish inskenuar kudo, por “në shqip “Jul Cezari” tingëllon më mirë se kudo në Evropë”.