29 maj 2015 –Nxënësit e vitit të tretë të Liceut profesionalo-tregtar “Jean Guehenno” në qytezën e Vanesës, dolën në demostratë në qytet në përkrahje të Brunilda Kolës, shoqes së tyre të klasës. Brunilda dhe familja e saj prej vitesh qëndrojnë në Francë në pritje të një përgjigjeje për kërkesën e tyre për azil.
Liceistët me anë të këtij demostrimi publik i shprehën përkrahjen shoqes së tyre të shkollës, familja e së cilës rrezikon të dëbohet nga territori francez. Nxënësit me anë të një peticioni drejtuar Ministrisë së Brendshme Franceze, kërkuan që shoqja e tyre e shkollës, nxënëse e shkëlqyer në mësime dhe sjellje, të mos dëbohej nga Franca sikur të ishte një kriminele apo keqbërëse. Liceistët me anë të këtyre gjesteve të solidaritetit synojnë të ndikojnë pozitivisht në vendimin e Parisit për fatin e familjes Kola.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/