Policia e Durrësit ka vijuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Gjatë veprimeve të fundit në lagjen nr. 15, në zonën e plazhit të Kallmit, u liruan tre hapësira publike, ku ishin vendosur pa leje 70 komplete me çadra dhe shezlongë. Si rezultat, u proceduan penalisht tre shtetas, të cilët dyshohet se i kishin zënë këto hapësira pa autorizim.

Operacioni do të vijojë përgjatë gjithë sezonit turistik, me fokus mbrojtjen e hapësirave të përbashkëta për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve të paligjshme në bregdet.

Njoftimi:

Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Lirohen 3 hapësira në plazhin e Kallmit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohen 70 komplete me çadra dhe shezlongë.

Procedohen penalisht 3 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Gjatë kontrolleve, në lagjen nr. 15, në tri hapësira publike në plazhin e Kallmit, u hoqën dhe u sekuestruan 70 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme, nga 3 shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. H., 61 vjeç, E. S., 36 vjeç dhe F. H., 64 vjeçe, të tre banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.