Rritja e ndjeshme e çmimeve po “godet” gjithnjë e më shumë ekonominë e dobët të familjeve me pak të ardhura.

Situata është më e rënduar në lagjet periferike të bashkisë Durrës, ku largimi masiv i rinisë po lë pas në bizneset e vogla lista të tëra borxhesh.

Shumë nga pronarët e këtyre bizneseve pohojnë se fenomeni i ikjes masive të forcës së aftë për punë vijon me ritme të shpejta, ndërsa në shtëpitë e boshatisura jetojnë vetëm pensionistët.

“Është bo aq keq sa me u dorëzu, me ik, me lënë gjithçka. Njerëzit po largohen dita-ditës. Janë të paktën 2-3 familje që largohen në javë”,– thotë një banor i një lagje periferike të Durrësit.

“S’po ka punë. Jemi mërzit shumë. Malli po na skadon, listat po na shtohen çdo ditë e më tepër. Xhiro s’po ka. Po s’pat xhiro, nuk ka as fitim”,- pohon pronari i një biznesi të vogël, që nuk dëshironte të identifikohej.

Gjendja e vështirë ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve reflektohet më së shumti në familjet me shumë anëtarë dhe vetëm me një të punësuar.

“Një litër vaj ishte 1700 lekë, ka shku 3400 lekë, dyfishi i çmimit. Ku mundem unë vetë i gjashtë, ku vetëm unë punoj, ta përballoj jetesën?”,- shprehet i shqetësuar babai i 4 fëmijëve.

Ndërsa në qytet, pensionistët janë shtresa më e goditur për shkak se me pensionet e ulta e kanë thuajse të pamundur të mund të sigurojnë për veten një jetesë dinjitoze.

“Sa marrim pensionin, paguajmë energjinë, se rritet kamata. Do rrimë pa hëngër dhe energjinë do e paguajmë, s’kemi nga me ia mbajt”,– thotë një pensionist që po psonis në tregun e fruta-perimeve.

Marr ushqime me listë. Ça të më ndihmojnë kalamajtë, se me 150 mijë lekë llogarite vetë ti çfarë mund të bësh”,- thotë një tjetër pensionist.