Aventura e Diego Longos zgjati vetëm katër ndeshje te Teuta, teksa fill pas humbjes ndaj Vllaznisë palët ndanë rrugët, me klubin që e shkarkoi. Tekniku u afrua afro tre muaj më parë te durrsakët pikërisht në aventurën e tij të tretë në kampionatin shqiptar, pas Kukësit dhe Flamurtarit. Italiani dha një reagim të shkurtër pas ndërprerjes së bashkëpunimit, ku edhe pse mbylli aventurën me vetëm tri takime, ka falënderime ndaj presidentit. Largimet e trajnerëve ai konsideron si të shpeshta në futbollin e sotëm, për vetë specifikën që ka ky pozicion.
“Dëshiroj të falënderoj presidentin për mundësinë që më dha mua dhe ekipit për punën e këtyre tre muajve. Sot këto gjëra ndodhin shumë shpesh në futboll, por vlerësimi dhe afeksioni im për presidentin mbeten të pandryshuara”, u shpreh fillimisht italiani në reagimin e tij. Më tej, Longo i uron suksese kundër ekipit që e solli në tregun shqiptar, Kukësit, me të cilin skuadra do të luajë këtë mesjavë. Ai beson se skuadra do të bëjë reagimin e duhur.
“I uroj Teutës të gjitha sukseset dhe jam i sigurt që nga e mërkura kundër Kukësit në shtëpi, djemtë do të kenë një reagim të madh”, mbylli reagimin e tij për gazetën ish-tekniku italian i Teutës. Në drejtimin e durrsakëve ai arriti të koleksionojë një fitore, një barazim dhe dy humbje. Ajo e fundit ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, mesa duket rezultoi fatale. Ja edhe fjalimi i shkurtër, të mbajtur nga italiani para skuadrës. “Që nga ky moment nuk jam më trajneri juaj. Ju falënderoj nga zemra për këta 3 muaj, për disponueshmërinë, sakrificën tuaj dhe për sa shumë më keni pasuruar. Uroj të dëgjoj vetëm të mira për ju! Suksese, Forca Teuta”, ka thënë italiani para ekipit.