Teuta ka rinisur përgatitjet pas një dite pushim.

Pasdite durrsakët, nën drejtimin e trajnerit Renato Arapi dhe stafit teknik, kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore.

Ekipi është stërvitur normalisht dhe grupi është në gjendje optimale.

Lorenco Vila ka folur për ecurinë e fazës përgatitore të skuadrës së tij, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.

22- vjeçari sezonin e kaluar nuk kaloi një formë të mirë për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme, por tashmë ai është gati për sezonin e ri dhe shprehet se kjo nuk e shton aspak presionin tek ai, përkundrazi rrit vetëm motivin.

Si po shkon faza përgatitore?

Gjithçka po shkon sipas planit. Jemi duke marrë ngarkesat e nevojshme fizike dhe po punojmë në aspektin taktik që të jemi sa më të përgatitur për sezonin e ri. Te skuadra “mbretëron” atmosferë shumë e mirë dhe serioziteti në stërvitje e në ndeshje është maksimal.

Pra, keni një frymë shumë të mirë në ekip?

Atmosfera në klub është super, jemi një grup që luajmë prej dy vitesh bashkë, por edhe lojtarët që janë bashkuar po përshtaten. Kjo na motivon edhe më shumë. Të gjithë futbollistët premtojmë maksimumin për qëllimin, që është të gëzojmë gjithë qytetin e Durrësit.

Si e keni parë ekipin në ndeshjet miqësore?

Në këto takime nuk ka rëndësi rezultati, por përgatitja e ekipit. Këto ndeshje do të na shërbejnë që sa më shumë të rrisim ritmin e lojës dhe t’i përmirësojmë problemet që kemi dhe që mund të shfaqen në vijim.

Sezonin e kaluar hasët shumë vështirësi në aspektin personal, jeni gati tashmë?

Unë kam kaluar një kalvar dëmtimesh në momentin tim më të mirë. U dëmtova në Moldavi, ku qëndrova jashtë disa kohë duke mos pasur një formë stabël, por besoj në këtë sezon së bashku me klubin do të kemi ngritje të formës.

Sa ua shton presionin kjo situatë?

Kjo nuk e shton presionin, përkundrazi e shton motivin dhe obligimin ndaj punës, të cilët janë garantuesit e vetëm të suksesit. Gjithsesi, duhet thënë se pjesë të veçantë në ngritjen time ka përkrahja e vazhdueshme nga të gjithë në këtë klub, të cilët më kanë dhënë një forcë që këtë sezon të jap 100% nga vetja.