Pas dekadave të tëra punë, e vetmja hapësirë publike ku këta pensionistë mund të kalojnë disa orë të kohës së lirë janë bordurat e betonit, pranë ish-filialit të Postës Shqiptare në zonën e Plazhit.

Të ulur mbi kartonë për të evituar ftohtësinë e betonit, një lojë domino është një nga kënaqësitë e pakta që u ofron mosha e tretë.

Ne pensionistët jemi njerëzit më të lodhur të kësaj bote kalojmë kohën në këto trotuarë. S’kemi as karrike, as vend se ku të kalojmë kohën e lirë”,- shprehet njëri prej tyre për “DurrësLajm”.

Kërkesa primare e tyre mbetet vëmendja institucionale për ta.

“Kam punuar 55 vite punë, kur dola në pension. Bashkia ka detyrime karshi moshës së tretë, të na bëjë një lokal dedikuar moshës së tretë”.

“Me këto pensione që marrim, as kafe nuk mund të pijmë. Të kemi një lokal ku të luajmë domino, e të pimë një kafe pa para”.

“Bie shi apo bën ftohtë, rrimë në shtëpi. Del dielli dalim këtu, sepse këto janë kushtet tona”,- thonë shumë prej tyre.

Të zhgënjyer nga politika, ata deklarojnë se partitë politike kujtohen për ta vetëm në fushata elektorale.

“Për vota na dha 5000 lekë shpërblim. Për ne nuk ka asnjë investim, vetëm votat na i kërkojnë”,- thotë një pensionist që kohën e lirë e kalon në shoqërinë e bashkëmoshatarëve të tij.

Realiteti i trishtë i moshës së tretë në Shqipëri, me pensione të ulta dhe pa hapësira publike dedikuar atyre është dëshmi e politikave të dështuara sociale në këto 30 vite demokraci në vendin tonë.

M.B.