Koment nga: Drilon Xhepollari

Abisnet Superiore është futur në momentin më krucial. Epilogu i javës së fundit ka turbulluar ambientin sportiv dhe jo vetëm.

Ndeshjet e javës së 36-të kanë filluar të diskutohen shumë në vendin tonë. Skenarët për vendin e katërt që të dërgon në “Final 4” janë të shumta. Madje me orët që kalojnë aludimet sa vijnë dhe shtohen. 

Shumë mendojnë se Vllaznia nuk do të impenjohet me Skënderbeun, pasi ekipi korçar është i padëmshëm në “Final 4”, për shkak se nuk merr pjesë në Europë. Ky perceptim në ambientin sportiv ka rritur tensionin e ndeshjes.

Vetë pozitia e disa ekipeve si Tirana, Teuta dhe Dinamo, që janë me pikë të barabarta 47, bën që ditën e ndeshjes të gjithë të jenë me kufje në vesh për të mësuar edhe rezultatet e sfidave të tjera, pasi kombinimet e rezultateve të tjera do të përcaktojnë ekipin e katërt që shkon në “Final 4”.

Abisent Superiore duhet të tregojë se integriteti dhe dinjiteti i kampionatit është thelbësor.

Vllaznia, Skënderbeu, Egnatia, Tirana dhe të gjitha ekipet e tjera duhet të luajnë Fair Play dhe kampionati të bëjë mbylljen më të mirë të mundshme, ashtu siç e meriton.

Le të marrim një shembull, futblli në Europë ka kuptim se skudrat luajnë edhe kur nuk kanë interesa, prandaj stadiumet i përgjigjen me një pjesëmarrje të gjerë tifozësh. 

Fenomeni i tolerimit ka qenë një gangren e futbollit shqiptar, që ka sjellë edhe largimin e tifozëve nga shkallët e stadiumit.

Kampionati shqiptar nuk duhet të shkojë kurrë të ulet në këtë nivel, sepse imazhi i Superiores është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër.

Urojmë që java e fundit e kampionatit tonë të luhet drejt dhe ndershëm, sepse integriteti vlen shumë më tepër se një vend në “Final 4”.