Sezoni turistik nuk rrit vetëm numrin e pushuesve në Durrës, por edhe atë të lypësve.

Duke qenë se kjo periudhë konsiderohet e favorshme nga ana e tyre për të përfituar të ardhura, ata janë dyndur në Durrës, madje shumë prej tyre pozicionohen në qendër të qytetit.

Siç shihet qartë nga pamjet filmike të marra nga operatori i “DurrësLajm”, Sokrat Toçi, pikëtakimi e tyre mesa duket shërben hapësira urbane pranë xhamisë dhe galerisë së artit pamor.

Mbi kartonë dhe shtresa të tjera, ata e kalojnë natën pikërisht në këtë hapësirë, ndërsa në mëngjes nisin lëvizjen për të filluar ritualin e përditshëm, lypjen.

Shumë prej tyre, madje edhe fëmijë, shpesh i sheh duke fjetur në rrugët kryesore të qytetit.

Mëngjesin e sotëm, aty ishin edhe efektivë të Policisë Bashkiakë dhe punonjësit e Ndërmarrjes Komunale, që po mundoheshin të vendosnin rregull mes kaosit të krijuar nga grupet e endacakëve të komunitetit rom.

Nëse më parë, sistemoheshin në rrethinat e qytetit, këtë herë ata kanë përzgjedhur “zemrën” e Durrësit si vendstacion të tyre.

Qëndrimi i tyre në këtë hapësirë, përveç ndotjes ambientale shoqërohet edhe me prishje të imazhit të qytetit bregdetar në këtë fillim sezoni turistik.