Një skenë dramatike u zhvillua në raundin e gjashtë të turneut ‘Norway Chess 2025’, ku kampioni i botës Gukesh Dommaraju, e mposhti për herë të parë në një lojë klasike numrin një në botën e shahut, Magnus Carlsen.Humbja nxiti një reagim të fortë emocional nga Carlsen, i cili goditi tavolinën me grusht nga frustrimi.

Ndeshja në Stavanger nisi me kontrollin e Carlseninl, duke e vënë 19-vjeçarin në pozita të vështira. Por, teksa koha në orën e norvegjezit po mbaronte, ai gaboi rëndë në fund të lojës, duke i dhënë indianit një avantazh të vendimtar.

Sapo loja përfundoi, Carlsen goditi tavolinën me grusht, i dha Gukeshit një shtrëngim të shpejtë duarsh dhe u largua menjëherë nga salla, duke kërkuar më vonë falje për reagimin e tij.

Dhe normalisht mjaftoi ky reagim, që e gjithë bota e shahut të komentojnë. Kujtojmë se Gukeshin është kampioni aktual i botës që nga dhjetori 2024, më i riu ndonjëherë që ka fituar këtë titull.Përkundër humbjes, Carlsen mbetet në krye të renditjes së përgjithshme. Megjithatë, incidenti në tavolinë ka hapur diskutime të reja mbi menaxhimin e emocioneve dhe sportivitetin në garat elitare të shahut.

Ndërsa ‘Norway Chess 2025’ vazhdon, rivaliteti në zhvillim mes Gukeshit dhe Carlsenit pritet të mbetet në qendër të vëmendjes – një përballje simbolike mes brezit të vjetër dhe atij të ri në shahun botëror.