SHKUP – Protestat e opozitës maqedonase kanë nisur edhe me fjalime provokuese dhe antishqiptare. Stojanço Angelov, lideri i Organizatës “Dinjiteti”, që mbledh veteranët maqedonas të konfliktit të vitit 2001, në protestën e djeshme ka deklaruar se, pikërisht Branko Cërvenkovski si kryeministër i Maqedonisë në vitin 1998 dërgoi policinë dhe hoqi flamujt shqiptarë para komunave të Gostivarit dhe Tetovës, ndërsa Gruevski iku në Amerikë kur Shkupi u mbush me flamuj shqiptarë në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

“Kur në vitin 1997 u vendosën flamujt shqiptarë në Gostivar dhe Tetovë, Branko nuk iku në Amerikë, por e dërgoi policinë për heqjen e tyre. Ndërsa tani patëm rastin që ta shohim Shqipërinë në Maqedoni. Tërë Shkupi, tërë Maqedonia veriperëndimore ishte e stërmbushur me flamuj shqiptarë. Mua ndoshta nuk më pengojnë shumë ato, por ku ishte patrioti dhe lideri i madh?! Por, ai iku për investime pikërisht në atë periudhë”, deklaroi Angelov, transmeton INA.

Partitë shqiptarë jozyrtarisht kanë dënuar deklarimet dhe mesazhet e tilla të opozitës maqedonase, e cila sërish përdor kartën nacionaliste dhe antishqiptare, për të tërhequr masat protestuese. Këto mesazhe nga protestat e opozitës vijnë edhe pse në radhët e saj janë individë të komunitetit shqiptarë të shoqërisë civile, të cilët individualisht përkrahin protestat e opozitës.  Organizata “Dinjiteti” është pjesë e koalicionit qeveritar “Lidhja për të Ardhmen”.