Nën temperaturat përvëluese të këtij fillim qershori, tregtarët e markatës së fruta-perimeve po kalojnë ditë të vështira. Brenda në markatë, temperatura arrin deri në 38 gradë, gjatë orëve të pikut të të nxehtit.

“Rreth orës 12.00-13.00 nuk rrihet. Eshtë më keq sesa para rikonstruksionit, pasi e kanë rrethuar me xham e nuk ka ajrosje”,- thotë një tregtare.

“Eshtë bërë si sauna këtu brenda,- thotë për “DurrësLajm” një tregtar tjetër ndërsa vijon duke thënë,- shyqyr që kemi ujë jashtë e shkojmë freskohemi pak”.

Në markatën e hapur vetëm 2 muaj më parë, pas rikonstruksionit që zgjati plot 9 muaj, disa prej tregtarëve kanë hapur çadrat e plazhit.

Të tjerë kanë vendosur kartona në hapësirat e ndriçimit për të penguar rrezet e diellit që u prishin produktet që tregtojnë.

“Dielli na bie nga mëngjesi deri në darkë, shihni produktet si na prishen. Prandaj e mbaj çadrën, për t’i ruajtur”,- thotë një nga tregtarët.

“Si mos më keq”,- thotë një tjetër, ndërsa në bluzë i duken qartë hartat e djersës, të krijuara prej temperaturës shumë të lartë.

Megjithëse u deshën plot 9 muaj që të përfundonte rikonstruksioni i tregut, atij i mungojnë shumë elementë. Njëri nga tregtarët ngre shqetësimin e mungesës së energjisë elektrike.

“300 tregtarët marrin me vete në shtëpi peshoret elektronike se s’ka korent. Treg pa korent dhe ujë vetëm këtu në Durrës kam parë”,- thotë një nga tregtarët që fajëson arkitektin që projektoi rikonstruksionin e markatës.

Më shumë se dy muaj nga hapja e tij, në markatë vazhdojnë të mungojnë një pjesë e banakëve. Tregtarët shesin në hapësira të improvizuara nga vetë ata me arka e tavolina. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 28 prill, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako deklaroi se tregu i fruta perimeve do të kompletohej me të gjithë banakët brenda një muaji.

Por sot, kur data shënon 6 qershor, asnjë nga 94 banakët e munguar nuk është vendosur. Për rikonstruksionin e markatës janë shpenzuar më shumë se 500 milionë lekë, por duket se ende ka shumë punë për t’u mbyllur.

M.B.