Nga Bujar QESJA

Mezi e kam pritur këtë rast, që të çfaqem në publik me portretin e njeriut të rrallë, ku natyra ka bashkuar në një, të gjitha cilësitë më të spikatura të kësaj që quhet bota e jonë. Madje ekonomisti i shkallës sipërore Esat Ypi, nga bashkëpunëtorët më të ngushtë arrin ta quajë Marko Karolin: “Super njeri. Më i kompletuari dhe perfekti që kam njohur në jetën time të gjatë. Ishte enciklopedi shumëdimensionale lëvizëse. Më i miri specialist që zotëronte të gjitha fushat, duke filluar nga profili im si ekonomist, ku ndjehesha inferior, e më tej në inxhinjeri, agronomi etj.”

Kam shkruar e shkruar për shumë portrete, të avancuar në profilet e tyre krahasuar me të tjerët. Por për Marko Karolin, jam në një tension profesional, pasi do të tentoj t’i ofrohem sadopak figurës së tij të jashtëzakonshme, mbushur me shumë mirësi, me shumë zotnillëk, me fisnikëri që tek ai fiksohej si pasqyrë i një realiteti të veçantë.

Koha tregoi se sa fat ka patur Durrësi dhe durrsakët, kur në gjirin e tyre erdhi të frymojë e të bashkojë forcat dhe një burrë i florinjtë, i rrallë, i mënçur, i aftë, kalorës i së mirës, duke shpërndarë tek njerëzit buzëqeshje dhe optimizëm. Kam qenë 17 vjeç, kur jam ndeshur për herë të parë, me pamjen e një burri që më dukej madhështor në fizik, ku flokët i kishte të “lyera” me ngjyrën e bardhë të fisnikërisë, me buzëqeshje që të kujtonte ardhjen e pranverës dhe me një ecje që kërkonte lartësinë e qytetit, ku fati e çoi të punonte dhe të jetonte.

Ai djalë 17 vjeçar, pas 54 vitesh, merr penën në duar dhe ulet të shkruajë për këtë burrë që u bë shumë i shtrenjtë, shumë i dashur dhe shumë i respektuar për durrsakët, duke mos i hequr qoftë edhe një presje atij opinioni të krijuar edhe tani, ku kronometri i jetës i fikson shifrën e 71 viteve. Marko Karoli ishte dhe mbeti një zgalem, ku “fluturonte” gjithnjë i guximshëm në fillim e gjatë stuhisë mbi valët e tërbuara të detit. Kaloi shumë peripeci, u ndesh me shumë furtuna, u përball me skifterë të politikës dhe ku ngadhnjeu falë shpresës dhe optimizmit, dashurisë së pakufi që kishte për njerëzit, përkushtimit të pabesuar ndaj tyre, duke i vënë dorën në zemër secilit, e duke i numëruar deri në rrahjet e saj.

Nuk dua ta mbuloj me terma profesionale dhe me pak të rëndomtë gazetareske, portretin e këtij përkushtuesi gjigand të punëtorisë dhe qytetarisë durrsake. Kujtimi për të më ka rrëmbyer plotësisht dhe po tentoj të kaloj në labirinthet e karakterit dhe moralit, të nderit dhe aftësive të rralla që zotëronte me saktësinë e orës. Nuk e kam takuar asnjëherë. Nuk kam patur rast ta përshëndes qoftë edhe njëherë.

Kur erdhi lamtumira për të, isha vetëm 26 vjeçar dhe po ngjitesha me vështirësi në shkallët e jetës. Por portreti i tij, më është ulur në kujtesë dhe është thithur pa dëmtime prej saj. Fytyra e pastër si vetë zemra e tij, ishte për mua dhe jo vetëm, një libër që mbetet edhe pas kësaj i hapur, me një kopertinë të bukur, me shkëlqim të rrallë dhe ku mbi të është shkruajtur me ngjyrë të florinjtë një emër dhe një mbiemër, me gërma të mëdha MARKO KAROLI.

U lind në Korçë me 21 korrik 1923 dhe pas 23 vitesh nga kjo ditë, vendoset në Tiranë. Punon për pak kohë në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe konsumon 20 vite jetë në Ministrinë e Komunikacionit. Angazhohet në drejtori të ndryshme dhe për 10 vite 1958-1968, është në pozicionin e zëvëndësministrit, me ministra në kohë të ndryshme Tonin Jakovën dhe Milo Qirkon. Lakohej si një burrë i mënçuar, i aftë për zgjidhjen e mjaft problemeve delikate që dilnin në fushën e komunikacionit, duke dominuar qetësia dhe urtësia në komunikim, si dhe respekti për eprorët dhe vartësit. Kultura dhe edukata e Marko Karolit, e kishin pozicionuar si intelektual dhe kuadër të veçantë.

Si pasojë e qarkullimeve që i kishte në plan politika e kohës, korçari zotni Marko Karoli, emërohet drejtor i Portit Detar të Durrësit në vitin 1968. Kantjerin Detar, Fllotën Tregëtare Detare dhe Portin Detar, Marko i njihet si veten, që kur shërbente në ministrinë e komunikacionit. Në Porto, Marko zëvëndësoi një kolos të kuadrove durrsakë Feruz Matajn. Qendroi në Portin Detar tre vite. Këtu nënshkroi kontratën më të pashembullt, me punëtorinë e artë të palcës së komunikacionit shqiptar. Nuk kishte kohë për të humbur. Feruz Mataj e kishte ngritur lart punën organizative në Portin Detar, e Markos i mbetej të punonte edhe më fort.

Porti Detar me 3000 punëtorë, me personel inxhinjero teknik të zot, ku kryhej 85 përqind e importit dhe eksportit të vëndit, ku duhej të përparonte mendimi novator në zgjidhjen e mjaft problemeve që paraqiteshin, veçanërisht në evadimin me shpejtësi të mallrave, me magazina, kalata, e sektorë ndihmës të pafund, kërkonte dorë të fortë drejtimi, mëndje të hollë, qetësi dhe maturi, për vendimarrje të sakta dhe efiçente.

Por Marko Karoli krahas të gjitha këtyre, vëmëndjen e kishte tek punëtorët, tek kushtet e tyre, duke nisur me strehimin, ushqimin, argëtimin, pagesat pasi shumë prej tyre vinin nga shtresa në nevojë.

Mëndja e tij e thellë dhe e gjërë si deti që përplasej në kalata, kërkonte të krijonte klimë të favorshme tek punëtorët dhe punonjësit e tjerë, pa të kalonte në kërkesa për plotësimin e detyrave. Pa një punëtori të fortë dhe të gatshme, por që të justifikoje ndihmën dhe mbështetjen ndaj tyre, ishte e kotë të kërkoje arritje. Vizionari ynë, babaxhani i thekur, vendosi jetën pranë punëtorëve dhe kolegëve, u dha atyre qetësinë dhe sigurinë e nevojshme dhe së bashku kalonin ditën dhe natën, duke punuar e qenë të barabartë.

Esat Ypi tashmë 86 vjeçar, jep mendimin për Marko Karolin:

” …jo vetëm si limitin e aftësive profesionale, por mbeti edrudit i jashtëzakonshëm që nuk rreshti së studiuari. Shpirti dhe ndershmëria e tij, qenë të madhërishme. Mbetet gjigand i mendimit krijues. Shkëlqente në gjithçka….”

Nga mendimi në veprim. S’kishte kohë për të humbur. U ndanë banesat e para. Ngritja e ekonomisë ndihmëse me prodhime bujqësore dhe blektorale, e pasuroi menynë në mencën e punëtorëve. Klubi i kulturës i portit, u gjallërua. Punëtorët punonin, po strehoheshin, po ushqeheshin mirë dhe argëtimi plotësonte kënaqësitë e tyre. Ekipet e lojrave të portit dhe kori i drejtuar nga Taip Kadiu, ishin të njohur jo vetëm në Durrës. Dhe kjo e gëzonte Marko Karolin. Strategjia e tij drejtuese, po jepte suksese të ndjeshme. Punëtorët linin kokën për drejtorin, e ai ngazëllëhej kur ndodhej në mes tyre.

Marko Karoli ia “dorëzoi” drejtorinë punëtorëve dhe punonjësve. U krijuan raporte të drejta ndërmjet tyre. Urtësia popullore “duaj të të duan”, është më se e argumentuar këtu. Marko “vdiste” për punëtorët dhe ato “linin kokën” për drejtorin e tyre. Porti Detar i Durrësit me drejtor Marko Karolin, i kaloi nami deri në qiell. Punohej, drejtohej, gëzohej- ky ishte çelësi magjik i Marko Karolit, që e lartësoi si kuadër dhe si njeri.

Por sfidat do të vazhdonin. Do të bëheshin më të mprehta. Rrugët e pashkelura për Marko Karolin, do të bëheshin më të vështira. Betejën e parë me durrsakët e kishte fituar. Ato e kishin bërë djalin e tyre. Dhe justifikimi për këtë, nuk do të mbaronte asnjëherë. Në vitin 1971 Marko Karoli, ngarkohet me detyrën delikate të Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor për Rrethin e Durrësit. Zëvëndësoi në këtë vënd përsëri të mirin Feruz Mataj. Do të punonte këtu 5 vite.

Jo vetëm nuk e uli ritmin e punës, por e ngriti stekën në kufij të pakalueshëm për cilindo që erdhi pas tij. Veprimtaria e Marko Karolit në krye të pushtetit durrsak, janë nga faqet më të përkryera të drejtuesit pa kompromis, të ndershëm në çdo qelizë, korrekt si gjermanët, i pari si shembull nxitës, i etur për të takuar sa më shumë njerëz dhe i bindur deri në sakrificë për t’i ndihmuar ato.

Marko Karoli nuk të “shiste”, për hidhej në flakë për të mbrojtur të drejtën, pavarësisht se kujt i takonte punëtorit apo kuadrit. Dhe këtë e bënte para kujtdo, pavarësisht nga posti që mund të kishte. Nuk mund të lëmë në harresë, një ngjarje të bujshme e tronditëse, por që tregon pesëqind fish forcën morale dhe karakterin e hekurt, të këtij burri të vendosur me emrin që na ngjall mall dhe nostalgji, që na ngjall kujtime dhe emocione të mëdha MARKO KAROLI.

Duhet të ketë qenë vera e vitit 1976. Kryeministri i atëhershëm Mehmet Shehu, po udhëtonte me eskortën e tij në jug të vëndit. Kur po kalonte në Spille, që përfshihej në kooperativën e tipit të lartë të Kryevidhit, vështron disa kallëza gruri në një cep të fushës të sapo korrur. Ndalon dhe i prek kallëzat me dorë. Jep urdhër që pasdite kur të kthehej, të takonte pikërisht në këtë vënd Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të kp të Rrethit Marko Karolin. Duhej t’i komunikonte urdhërin e shkarkimit nga puna, kryetarit të kooperativës së Kryevidhit. Eh, në ç’hall u vendos, i miri ynë Marko!

Burrë nuk bëhesh në një ditë, po nuk ishe i formuar si i tillë. U detyrua të paraqitej në kohën dhe vëndin e caktuar. Kryeministri (që ende nuk i kishte dalë inati), i flet me ton Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të k.p të Rrethit të Durrësit:

-E keni shkarkuar kryetarin e kooperativës nga puna?

Marko i qetë, me kurajo dhe i vendosur në bindjen e tij, reagon:

-Nuk kam arsye ta pushoj. Abdyl Cara është kryetari më i mirë ndër kooperativat bujqësore. Ju siguroj se ato kallëza, do të hiqeshin nga fusha në një çast tjetër.

Mehmet Shehu akoma dhe më i egërsuar dhe me prepotencë, i thotë prerazi:

-Atëhere, do të shkarkohesh ti nga detyra!

Pa u merakosur për këtë, përsëri pa humbur qetësinë aq e domosdoshme në kësi rastesh, Marko ia kthen:

– Po! Ju mund të më pushoni mua, pasi jam në vartësi tuajën. Abdyl Cara që është nomeklaturë e Kryetarit të Komitetit, nuk ka për të lëvizur nga detyra e kryetarit të kooperativës.

Pas disa ditësh, në një mbledhje në Kryeministri, Mehmet Shehu i komunikon Marko Karolit, largimin nga detyra e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të kp të Rrethit të Durrësit. Dhe Karoli pas kësaj rikthehet në Portin Detar, në atë kolektiv aq të dashur dhe të përmallshëm për të, duke zëvëndësuar tjetër figurë të njohur në Durrës Bajram Thërminë.

Kjo ishte burrëria e Marko Karolit. Trimi është i mënçur dhe mënçuria kërkon kurajo për t’u çfaqur. Për të drejtën, për të mirën, për njeriun punëtor dhe të palodhur siç ishte në këtë rast Abdyl Cara, Marko Karoli bëhej copash, paçka se mund të kishte pasoja.

Çdo gjë që flitej për Markon, çdo opinion që përhapej, e kishte bazën në mrekullinë që krijonte ky njeri i çquar i Durrësit.

Në kujtimet jo të pakta të Esat Ypit për madhështorin Marko Karoli, zen vend edhe ky fakt:

-Nga agronomët më të njohur të Durrësit Gani Isaku, po më thonte se: kur është lauruar për agronomi Marko Karoli? Në një takim pune ku u fol për problemet e bujqësisë, Isaku personalitet i kësaj fushe, ishte habitur nga njohuritë dhe argumentet profesionale që kishte hedhur në diskutim Kryetari i Komitetit. I thashë, që Marko Karoli ka mbaruar për ekonomi, por i ka thelluar vetë njohuritë për agronomi.

Sikur ta dinte, se një sëmundje e mallkuar dhe e papritur do t’ia shkurtonte jetën, do të nxitonte e nxitonte edhe më shumë për të bërë gjëra të mira, gjëra të bukura për Durrësin, që t’u pëlqenin durrsakëve. Gjeti mundësinë duke siguruar fondet e nevojshme, për të ndërtuar qendrën shlodhëse të plazhit të Currilave. Gabina dhe ndërtesa të hijshme ia rritën bukurinë zonës kodrinore, duke krijuar raport spektakolar me detin.

U ndërtua teatri veror, një mrekulli artistike për artistët dhe artëdashësit. Kishte aftësinë të çfrytëzonte kodrat dhe t’i kthente në atraksion. Pak më poshtë teatrit veror, në ndihmë të notit durrsak erdhi ndërtimi i pishinës. Bukuri më vete edhe kjo. Rruga e Vollgës u ndërtua me koncept të ri, duke u bërë tërheqëse për vizitorët dhe vendasit. Mëndja e Marko Karolit, energjitë e tij, aftësitë dhe cilësitë e çmuara që kishte, u vendosën në dispozicion të Durrësit dhe qytetarëve të tij.

Ka qenë fat për Durrësin, që kur Marko Karoli kryente detyrën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Durrësit ishte i mirnjohuri Iliaz Reka. Për këtë emër të madh të qytetarisë, do të hedh rradhë në rast tjetër, por nuk mund të lejmë pa nënvizuar një dukuri të rëndësishme.

Dyshja Reka –Karoli mbetet e papërsëritshme dhe me shans për Durrësin dhe durrsakët. Ato nuk bënë pazare, në dëm të interesave të durrsakëve. I ruajtën dhe i mbrojtën ato me shpirtin e tyre, me moralin e tyre, duke u sakrifikuar. Çdo gjë që menduan dhe zbatuan, e bënë mirë dhe për këtë mirnjohja e njerëzve, nuk pushon edhe sot e kësaj dite. Bënë një opozicion fantastik, duke parë njeriun dhe jo politikën, e cila të priste kokën në atë kohë. Kishin bindje dhe këtë e realizuan me çdo çmim.

Meqenëse tani jam këtu, do ta mbyll këtë paragraf me këtë formulim: Së bashku me Iliaz Rekën dhe Marko Karolin, rradhis edhe Feruz Matajn, duke krijuar trion e pashembullt të drejtuesve të mëdhenj dhe historik për Durrësin.

Të mos lodhemi më kot të rrëmojmë, se nuk gjejmë të tjerë burra kështu, ashtu sikundër nuk besoj dhe jam shumë skeptik, se as pasues me profilin e tyre nuk do t’i vijnë më Durrësit. Iliaz Reka nga problemet e mëdha që i krijoi sistemi, pasi transferohet në Lushnje, pëson goditje fatale në zemër. Ndahet nga ne me 27 dhjetor 1975, në moshën 51 vjeçare.

MARKO KAROLI! Nëntë vite jetoi dhe punoi në Durrës. Por gjurmat që krijoi e fiksoi, raporti që krijoi me njerëzit, cilësitë e arta të cilat ua la si kujtesë çdo njeriu që takoi, çdo kolegu e kuadri që bashkëpunoi, pa bërë diferencime dhe me shumë vëmëndje i dëgjonte dhe u zgjidhte hallet, janë gdhëndur në memorien e durrsakëve.

Mbledhje, takime punë, debate, konsulta, ec e jake të pafund në qendra pune e prodhimi, serioziteti dhe marrveshja që kishte bërë me veten për të qenë pranë njerëzve, dëshira e pa zbehur për të punuar e punuar pa limit, ia dobësuan fizikun, e lodhën dukshëm, por edhe i pafat për atë që i ndodhi. Taketuket e cigareve zbrazeshin papushim. Në ato halle dhe në ato derte që kalonte në punë, cigarja iu bë bashkëshoqëruese.

Porti e priti krahëhapur birin e tij në rikthim. Marko Karoli erdhi në atë “shtëpi”, të cilën e kishte lënë në vitin 1971 në zenitin e përparimit. Në këtë kulm të punëve, në këtë dëshirë për të jetuar, kur kishte mundësi dhe aftësi ende për të dhënë, i çfaqet një tumor në mushkëri. Veç kësaj Marko, zotnia historik i Durrësit, nuk mund të operohej. Ishte e pamundur.

Mjekësia shqiptare me në krye Selenicën e famshëm, pas përpjekjesh të mëdha nuk mund të bëntë më asgjë. Interesimi ishte shumë i madh. Transportohet në një prej klinikave të njohura në Vienë të Austrisë. E njëjta përgjigje si ajo e mjekëve shqiptarë. E pamundur ndërhyrja kirurgjikale.

Limiti jetësor i Marko Karolit, po zvogëlohej nga minuta në minutë. Njerëzit, miqtë dhe shokët, të afërmit, një popull i tërë i qendroi afër drejtorit të tyre, kryetarit të tyre, që u ishte ndodhur pranë në sa e sa halle dhe shqetësime. Sa bukur e etikoi Ariana, vajza e madhe e Markos: “Babai ishte dhe mbeti, drejtori dhe kryetari i zemrave të njerëzve”.

I madh hidhërimi. E madhe humbja. 13 tetori i vitit 1977, erdhi gri. Një erë e lehtë bënte që të binin në tokë, gjethet e fundit të vjeshtës. Disa pika shiu ranë mbi fytyrat e njerëzve. Dukeshin si lotë. Por mbase edhe të tillë ishin, pasi faqet dhe sytë e tyre ishin të lagura. I gjithë Porti Detar, punëtorët dhe punonjësit lanë punën. I gjithë Durrësi mbajti frymën. Kryetari dhe drejtori i tyre nuk jetonte. Në njësh kolonë, pa ceremoni zyrtare, u vendosën përballë trotuarëve, ku kalonte në një zim të zi arkivoli me trupin e Marko Karolit. Pikëllim. Gjithçka gri, në kohë, në zemra, në shpirt.

54 vjeç. Shumë i ri, por la pas një emër të madh, një emër të çmuar, një emër nderues, një emër krenar për t’u mburrur secili prej nesh. Pasi Marko Karoli erdhi në Durrës, për të qenë i yni dhe mbeti përjetësisht i yni.

Në krahun e djathtë të varrit në të cilin prehet, ku gjithnjë në këtë krah ka patur bashkëshorten e tij besnike, është banesa e fundit e Zhanit, gruas së pathyer që vazhdoi jetën e gjallë dhe aktive të familjes plot 45 vite pas të shoqit. Marko Karoli e trajtonte familjen si gjënë më të çmuar dhe nga ajo pak kohë që i mbetej, i përkushtohesh Zhanit të shtrenjtë dhe dy vajzave aq të dashura Arianës dhe Laureshës.

Me 21 korrik 2023, Marko Karoli është në 100 vjetorin e lindjes. Por padurimi për të shkruajtur, na bëri të avancohemi në kohë, duke patur si shkak 45 vjetorin e largimit nga jeta. Sa mrekulli do të ishte, ta festonim së gjalli 100 vjetorin e lindjes së Marko Karolit, këtij njeriu që u bë copash për Durrësin!

Por jam i sigurtë, që edhe dita e 13 tetorit 2022, me forcën e peshës së kujtesës, do ta prekë shpirtërisht edhe 100 vjetorin e lindjes. Pranë janë, punë muajsh.

MARKO KAROLI! Historia e përjetësisë, plotësisht e merituar.