Edi Martini është zyrtarizuar si trajneri i “ri” i Teutës. Shkodrani emërohet në stolin e durrsakëve, nga i cili ishte larguar në mbyllje të edicionit të kaluar për t’i bërë vend Diego Longos. Por me shkarkimin e italianit këtë të diel, presidenti Hasanbelliu i ka besuar pikërisht Martinit pankinën e ekipit të tij, i cili njëlloj si në vitin e kaluar e ka nisur shumë keq edicionin dhe gjendet në pozitat e ulëta në renditje.

Pas zyrtarizimit nga klubi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Martini nuk ka vonuar që të zbresë në fushën e lojës. Ai ka drejtuar që sot seancën stërvitore të ekipit, duke nisur punën për të përgatitur një ndeshje shumë delikate si ajo e mesjavës kundër Kukësit, një rival direkt në këto momente në zonën e ftohtë të klasifikimit ku gjendet ekipi durrsak.