Pas promovimit në Tiranë dhe qytetin e Tivarit, në Mal të Zi, libri më i fundit i Uran Butkës u prezantua edhe në Durrës. Në kuadër të javës së aktiviteteve për Ditën Botërore të Librit, të organizuara nga biblioteka e qytetit tonë, historiani Butka promovoi botimin kushtuar një prej ngjarjeve më tragjike të historisë së pas luftës.
Në librin e Butkës, përmes fakteve e dokumenteve shpjegohet sesi masakra e Tivarit, një nga tragjeditë e inskenuara dhe të vëna në jetë nga autoritetet jugosllave në bashkëpunim të ngushtë dhe me udhëheqësit shqiptarë në vitet 1944-45, është një nga ngjarjet më të dhimbshme të popullit martir kosovar.
Duke shfrytëzuar arkivat jugosllave dhe shqiptare të atyre viteve historiani Uran Butka kërkon të hedhë dritë mbi këtë tragjedi që për shumë vite me radhë u tentua të fshihej nga Fronti Nacional Jugosllav (përgjegjësi kryesor për masakrën), ndërkohë që udhëheqja komuniste shqiptare mohoi të kishte dijeni për ngjarjen mjaft të rëndë.
Por shumë radiograme të dërguara nga vetë Enver Hoxha, letrat e shkëmbyera mes Ramiz Alisë, Shefqet Peçit, Fadil Hoxhës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë e qeverisë shqiptare tregojnë haptazi implikimin e shtetit shqiptar në këtë masakër të kryer në dëm të vëllezërve të një gjuhe e të një gjaku.
Masakra e asaj kohe kishte për qëllim të vriste pjesën më të madhe të popullsisë aktive kosovare, për të vënë në jetë planin e kahershëm jugosllav për të larguar popullsinë autoktone nga trojet e veta, për të masakruar një komb që nuk dëshironte t’i bashkangjitej republikës jugosllave, por që luftonte për t’u bashkuar me truallin amë.
Projekti i Çubrilloviçit
Faktet historike dëshmojnë se gjatë luftës së dytë botërore të gjitha viset shqiptare, pavarësisht se ishin ende të ndara sipas oreksit të fuqive të mëdha ju bashkuan Shqipërisë në një shtet që siç thotë Butka “funksionoi si njësi politike, administrative, territoriale dhe ekonomike”. Por një ribashkim i kombit shqiptar nuk u interesonte jugosllavëve, të cilët kishin hartuar një projekt famëkeq që do ta vinin në jetë përmes bashkëpunimit të plotë të komunistëve shqiptarë.
Projekti famëkeq i Çubrilloviçit, i 7 marsit të vitit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944 bazohej në dy mënyra ultraraciste për të spastruar etnikisht trojet shqiptare: zhdukjen ose eliminimin e tyre. Lufta ishte momenti më i përshtatshëm për ta zbatuar këtë gjenocid të paprecendent.
“ Luftërat janë momenti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ato, si një stuhi, duke kaluar nëpër shtete, shkulin nga rrënjët dhe marrin me vete masat. Ajo që në kohë paqeje kërkon dekada dhe shekuj, gjatë kohës së luftës kryhet brenda muajsh e vitesh….. Ushtria duhet të përdorë forcën e armatosur për dëbimin e pakicave nga territoret…….. Pakicat kombëtare duhet të detyrohen të shpërngulen. Para së gjithash, atyre duhet t’u privohen të gjitha të drejtat…. Për ta duhen krijuar kampe përqendrimi, t’u konfiskohen pronat, familjet e tyre të dërgohen nëpër kampe dhe në rastin më të parë të shporren në shtetet e tyre kombëtare”,- shkruante Vaso Çubrilloviç.
Një libër që tenton të zbardhë një nga genocidet më të mëdha ndaj popullsisë kosovare në vitet e pas luftës. “Masakra e Tivarit” e historianit Uran Butka përmes dokumenteve të arkivave shqiptare e jugosllave hedh dritë mbi fakte të reja që dëshmojnë përgjegjësinë direkte të shtetit shqiptar mbi masakrimin e mijëra kosovarëve nga ana e jugosllavëve edhe brenda territorit shqiptar
Ky projekt famëkeq u përqafua nga Lëvizja Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë e cila nisi ta vërë në jetë menjëherë pas tërheqjes së ushtarëve gjermanë nga territori i saj. Në fillim të nëntorit të 1944, komandave të ushtrisë NÇJ iu dha nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë”,- citon Butka një dokument të nxjerrë nga arkivi i Kosovës.
Veçse vënia në praktikë e këtij plani monstruoz nuk ishte e lehtë, pasi popullsia kosovare nuk do të pranonte asnjëherë të bashkëjetonte me serbët, malazezët apo maqedonasit, por do të kërkonte bashkimin me Shqipërinë. Në atë kohë, popullsia kosovare ishte e armatosur dhe e organizuar në brigada nacionaliste, që nuk do të lejonin asnjëherë ripushtimin e Kosovës nga ana e jugosllavëve.
Kush do t’i binte kosovarët të dorëzonin armët, të rekrutoheshin gjoja për të luftuar gjermanët në frontin e perëndimit duke lënë pas të pambrojtur gratë fëmijët e shtëpitë e tyre? Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë NÇJ, i kërkoi ndihmë qeverisë shqiptare madje i urdhëroi të dërgonin në Kosovë dy brigada gjoja me pretendimin se do t’u vinin në ndihmë për të larguar gjermanët (që po largoheshin vetë).
Genocidi famëkeq i inskenuar nga PKJ-ja (Partia Komuniste Jugosllave) u vu në jetë falë ndihmës së udhëheqjes shqiptare, që ndihmoi pa rezerva këtë plojë monstruoze.
Përgjegjësia e Hoxhës
Udhëheqësi jugosllav, Josif Tito, i kërkoi Enver Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ-së së Shqipërisë në Kosovë dhe Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ jugosllave u formulua në fund të muajit maj dhe u përsërit në korrik dhe gusht të vitit 1944,- shkruan Butka në libër.
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH-së, Enver Hoxha i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. Qëllimi i Jugosllavëve ishte të çarmatosnin popullsinë kosovare, sepse vetëm kështu do të realizonin nënshtrimin e saj.
Po për këtë nevojitej prania dhe bashkëpunimi i komunistëve shqiptarë, sepse kosovarët besonin tek vëllezërit e tyre të përtej kufirit. E kështu nisi të merrte udhë plani makabër jugosllav. Në prag të nisjes drejt Kosovës brigadat e Divizionit I do të merrnin këtë urdhër prej Hoxhës: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë”.
Këta “reaksionarë e nacionalistë” ishin ata që luftonin për bashkimin e trojeve shqiptare. Vëllazërimi i të dy popujve (atij kosovar dhe atij jugosllav) propagandohej edhe nga forcat partizane shqiptare gjatë kohës që ata qëndruan në Kosovë.
Ndërkohë veç dërgimit në Kosovë të brigadave partizane në ndihmë të komunistëve jugosllavë, Enver Hoxha do të shprehej në pleniumin e PKSH-së, të dhjetorit 1946: “Jugosllavia është më e zhvilluar se ne, interesi ynë është që ajo të jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën, kjo nuk është progresive. Pra, në këtë stil, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e mundur, që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi”.
I njëjti mendim shprehej edhe nga udhëheqësit e PKJ-së. Pra, përveçse ndihmoi jugosllavët të ushtronin genocidin e tyre në Kosovë dhe lejoi ripushtimin e saj lideri ynë komunist merrte përsipër të vendoste se në cilën anë ishte interesi i trojeve shqiptare përtej kufijve. “Mbështetja pa hezitim i bashkëngjitjes së Kosovës me Jugosllavinë dhe “integrimi” i shqiptarëve në Jugosllavi dëshmojnë tradhtinë kombëtare të Hoxhës”,- thotë Butka.
Alia kishte dijeni
Pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia ka mohuar gjithnjë të ketë pasur dijeni për atë çfarë po ndodhte në Kosovë dhe çfarë po përgatitej në Tivar. Ndërsa jugosllavët që ishin hartuesit dhe zbatuesit kryesorë të kësaj masakre e kanë pranuar atë, megjithëse në përmasa shumë më të vogla nga ç’ndodhi në realitet, shteti shqiptar gjithnjë ka mohuar të ketë pasur dijeni mbi atë çfarë ndodhi me mijëra të rinj kosovarë.
Ajo që e bën më absurde situatën është fakti se karvani me mijëra rekrutë kaloi përmes veriut të vendit i shoqëruar edhe nga forcat ushtarake shqiptare, të gatshme për të kapur dhe ndaluar çdokënd që arratisej e për ta dorëzuar më pas me një zell të paparë tek trupat jugosllave. E si mundet pastaj ky shtet të mos kishte dijeni se ç’po ndodhte kur shumë kosovarë u vranë e u masakruan në trojet shqiptare?
Urdhri i ministrit të brendshëm shqiptar autorizon jugosllavët të vrasin rekrutët kosovarë brenda territorit të vendit tonë. Ndërsa autoritetet jugosllave nuk e kanë fshehur masakrën, por janë përpjekur ta zvogëlojnë atë, shteti shqiptar dhe udhëheqja e kohës kanë bërë të paditur për këtë çështje. Enver Hoxha urdhëronte ekzekutimin pa mëshirë të nacionalistëve dhe reaksionarëve shqiptarë brenda e jashtë kufijve shtetërorë
Kur është pyetur për këtë ngjarje, Ramiz Alia ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të asaj ç’po ndodhte, sepse ndodhej në Bosnjë. Por në librin e tij Butka e hedh poshtë përmes dy radiogrameve këtë pohim të ish-liderit komunist. Duke iu referuar radiograme nr. 19 dhe 96, të datave 3 dhe 17 mars të vitit 1945, Butka thotë se Alia njoftonte komandën e përgjithshme shqiptare se trupat e divizionit të tyre po i drejtoheshin Mitrovicës.
Ishte pikërisht kjo periudhë kur mijëra kosovarë u rekrutuan gjoja për t’u dërguar në frontin e perëndimit. Në të njëjtën kohë, në një tjetër dokument që gjendet në arkivin tonë të shtetit, shtabi i divizioneve V dhe VI të Shqipërisë i dorëzonte shtabit operativ të Kosmetit gjithë të arratisurit shqiptarë nga trevat e tyre, por edhe gjithë vullnetarët shqiptarë të Kosovës që u bashkoheshin batalioneve shqiptare.
Listat e të arratisurve, me të gjitha të dhënat përkatëse, u përpiluan nga shtabet e divizioneve V dhe VI, me urdhër të Shtabit Operativ Jugosllav. Listat emërore me emrat e rreth 400 kosovarëve janë firmosur nga komisari politik Ramiz Alia dhe komandanti Rahman Parllaku. Dokumentet janë përpiluar në datë 7 prill 1945, në Mitrovicë.
Masakra e Tivarit
Fundi i marsit të 1945 do të mbetej në historinë e popullit kosovar si një nga ngjarjet më tragjike, ku brenda një dite u masakruan, u vranë e u mbytën 3447 kosovarë. Por si nisi ajo që do të kthehej në një plojë që ende sot kullon gjak?
Kolona e dytë me rekrutë shqiptarë do të mbërrinte në Tivar mesditën e 31 marsit të 1945. Tivari ishte zgjedhur enkas për këtë masakër, jo vetëm për pozicionin gjeografik, si një terren i mbyllur në të gjitha anët me malet Rumies e shkëmbinjtë mbi qytet, si dhe detin Adriatik që ofronte mundësi ideale për të realizuar krimin masiv pa shpëtuar dot njeri, por edhe si një skaj i veçuar i Malit të Zi, larg komunikimit e syve të të huajve dhe opinionit të gjerë.
Ekzekutuesit e masakrës ishin përcaktuar. Ata do të ishin brigada X malazeze. Tivari, qyteti shqiptar në Mal të Zi do të shndërrohej në teatrin tragjik të genocidit të pashembullt jugosllav ndaj rekrutëve të drobitur, të uritur e të çarmatosur. Ky genocid do të hapte siparin në hyrje të Tivarit të ri dhe do të arrinte pikën kulmore në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, ku kosovarët e zënë në çark e të rrethuar nga të gjitha anët do të sulmoheshin me bomba, granata e automatikë, e më pas të mbijetuarit e të plagosurit do të thereshin e do të vriteshin me bajoneta, thika, sqeparë, sëpata e sfurqe.
Nisja e masakrës në hyrje të Tivarit përshkruhet në një raport të Shtabit të Kolonës IV të Armatës Jugosllave, më 8 prill 1945: “Kur ai (shqiptari i arrestuar) po bërtiste me zë shumë të lartë, nga kolona u hodh një bombë mbi të. Bomba shpërtheu, mandej u hodh edhe një bombë tjetër, gjithashtu nga kolona. Më pas edhe bomba të tjera. Në të njëjtin moment, u hap zjarr nga pushkët dhe armët automatike. U hodhën bomba nga të gjitha anët, gjuhej nga të gjitha anët dhe në ato të shtëna u përfshinë edhe këshilltarët, infermieret, me një fjalë shtiu çdokush që pati armë. Të shtënat pushuan atëherë kur nga grumbulli nuk u ngrit më njeri dhe kur nuk lëvizi njeri”.
Vetëm nga përshkrimi i jugosllavëve, zbatuesit e këtij genocidi të ngjashëm me masakrat e Hitlerit, del qartë përmasa e kësaj tragjedie. U vranë pra dhe u plagosën nga ushtarët malazezë të brigadës V të gjithë rekrutët shqiptarë që gjendeshin në rrugën e gjerë rreth 6-7 metra dhe me gjatësi 69 metra. Sipas raportimit të shtabit të Kolonës IV të Armatës Jugosllave aty u vranë rreth 430 rekrutë. Por për drejtuesit e njëkohësisht ekzekutorët kryesorë Gosha Markoviç dhe Vladimir Roloviç ky ishte vetëm fillimi. Tragjedia më e madhe do të konsumohej në oborrin e godinës së Monopolit të Duhanit.
Rrëfimi i Azem Hajdinit
Azem Hajdini, njëri prej të mbijetuarve, rrëfen ndër të tjera për këtë masakër: “Secili prej nesh, që hynte në atë shteg, merrte goditje në kokë, gjoks apo shpinë dhe vaj halli për ata që nuk mund t’u bënin ballë goditjeve, sepse çdo herë ekzistonte mundësia që të mbetej në vend. Ai që mbetej shtrirë, shkelej pa mëshirë nga turma që kalonte nëpër atë hyrje, pa pasur mundësi t’i afrohej ndihmë nga askush. Ishte e pamundur të kaloje nëpër atë hyrje të ngushtë e të mos merrje goditje. Vetëm gjatë këtij akti të hyrjes në oborr mbetën të shtrirë 100 apo 150 vetë. Shumica e tyre e vdekur. Ashtu, të përgjakur e të rraskapitur, rreth 100 vetave, që ishim në ballë të kolonës, na futën në atë ndërtesë. Pasi ndërtesa u mbush përplot, në oborr, sipas një vlerësimi, mbetën mbi 2000-2500 vetë, kurse në rrugën prej 7-8 metra të gjerë dhe 80-100 metra të gjatë mbetën të rrethuar 1000-1100 vetë, por, tanimë jo të rreshtuar, por grumbull. Kjo u bë për shkak që të kryhej likuidimi i tyre më lehtë…….”
Ata që nuk vdiqën nga plumbat e bombat u therën me bajoneta, thika e sëpata. Shtabi i kolonës IV të Armatës Jugosllave do të fajësonte komandën e brigadës X malazeze dhe institucionet ushtarake e civile për vrasjen e shqiptarëve të paarmatosur.
Pse duhet zbardhur
Në epilogun e librit të tij historiani Butka shprehet se,- “një komb nuk mund të jetë plotësisht i lirë, nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët. Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish”.
Vërtet nuk mund të ndëshkohen më përgjegjësit kryesorë dhe ekzekutorët direktë të kësaj masakre, po ama popujt dhe ata që janë prekur drejtpërdrejtë nga ky genocid i paprecedent duhet të dinë të vërtetën, autoritetet dhe shtetet përkatëse duhet të kërkojnë falje për gjakun e derdhur, për vuajtjen dhe masakrimin e mijëra kosovarëve që u vranë jo se ishin përgjegjës për ndonjë veprim të kryer në dëm të shtetit jugosllav, por vetëm për shkak të etnisë së tyre, asaj shqiptare.
STATISTIKAT
Masakra sipas jugosllavëve
Nga tri kolonat e muajit mars1945 përgjatë rrugës Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Trogit-Beograd na More, u asgjësuan gjithsej 2355 rekrutë shqiptarë, nga të cilët 1560 vetëm në Tivar.
Nga tri kolonat e muajit prill 1945, u eliminuan gjithsej 188 rekrutë shqiptarë.
Totali i shqiptarëve të asgjësuar nga të gjashtë kolonat me rekrutë shqiptarë prej 13.050 vetësh, gjatë muajit mars dhe prill 1945, kryesisht sipas burimeve ushtarake jugosllave rezulton së paku në 2543 vetë.
STUDIMI
Masakra sipas Uran Butkës
Po të numërosh rast pas rasti, të vrarët dhe të zhdukurit nga kolonat e marsit dhe të prillit, sipas dëshmive dhe hulumtimeve të Azem Hajdinit rezulton numri prej 1534 shqiptarësh brenda territorit të Shqipërisë. Përfundimisht, numrit prej 2543 vetësh të masakruar, sipas burimeve jugosllave e kosovare, po t’i shtosh shifrën prej 1000-1500 shqiptarësh të vrarë e të zhdukur në Shqipëri, sipas gjithë burimeve dhe t’i zbresësh 595 rekrutë të vrarë e të zhdukur në Shqipëri – sipas raportimeve të shtabeve të divizioneve jugosllave – rezulton shuma prej gjithsej 2.947-3.447 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e Tivarit. Por këto shifra, sipas Butkës, nuk janë shteruese.
KOÇI XOXE
Urdhri i ministrit të brendshëm shqiptar
Sipas raportit të cituar prej prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë, Bedri Spahiut, dhe sipas informacionit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ministri i brendshëm i qeverisë sonë, Koçi Xoxe, kishte autorizuar oficerët jugosllavë që të pushkatonin fshehtas dhe pa gjyq në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Kjo shifër është e përafërt me të dhënat e shtabeve të luftëtarëve të Kosovës, botimeve të A.Hajdinit e B. Golës dhe të hulumtuesve të tjerë si dhe dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të masakrës që kanë përjetuar vrasjet masive në Kukës, Fushë Arrës, Pukë, Gomsiqe, Drin, Vau i Dejës, Bregu i Bunës, kazermat e Shkodrës, dalje e Shkodrës etj, si dhe pushkatimet individuale apo në grup në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas Azem Hajdinit rreth 1534 shqiptarë janë vrarë brenda territorit të Shqipërisë.