Sot zhvillohet Olimpiada Ballkanike e Matematikës për klasat e shtata, organizim ky nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës mbështetur nga bashkia e Durrësit.

Edhe këtë radhë, kolegji Turgut Ozal hapi dyert për mbajtjen e olimpiadës, që siç thotë drejtori i QKF-së Avni Çuni, është një organizim masiv.

“Ky është viti i 23-të që organizohet. Pjesëmarrja këtë vit është më e madhe se vitin e kaluar, janë rreth 45 fëmijë pjesëmarrës, të cilët janë shpallur fitues  në komunat përkatëse të tyre pas garave që kanë zhvilluar, duke filluar nga Presheva, Kosova me shumë qytete të saj, Maqedonia e Veriut dhe gjithë rrethet e Shqipërisë. Pas dy orëve test, komisioni tërhiqet dhe fituesit shpallen po ditën e sotme”, shpjegon për “DurrësLajm” Avni Çuni.

Adrian Laço, kryetari i Shoqatës së Matematikanëve shqiptarë dhe profesor i Matematikës në Universitetin e Tiranës, thotë se ky është një nga eventet më të rëndësishme në Shqipëri pasi ka karakter rajonal.

“Ne kemi nxënës shumë të talentuar, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kanë pasur rezultate shumë të mira në olimpiada ndërkombëtare. Edhe sivjet, dy javë më parë në Qipro kemi pasur Olimpidaën Ballkanike, ku nxënësi i talentuar nga Durrësi, Klevis Liperi, ka marrë çmimin e tretë, medaljen e bronxtë.

Edhe në vitin 2020, po i njëjti nxënës ka marrë medaljen e argjendtë në Olimpiadën Ballkanike, dhe medaljen e bronxtë në Olimpiadën Botërore”, tha Laço për “DurrësLajm”.

Në korrik Shqipëria do të marrë sërish pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare, ku Klevisi së bashku me 5 nxënës të tjerë do të jenë pjesë e ekipit shqiptar duke shpresuar në rezultate të mira.

S.L.