Për të disatën herë banorët e lagjes nr.5 në Durrës kërkuan përgjigje për fatin e pallateve të tyre, por sërish heshtje nga institucioni i bashkisë.

Megjithëse tentuan të futen në institucionin e pushtetit vendor, nuk u lejuan.

Me pankarta në duar ku shkruanin “Mbani premtimin”, “Po na vidhni pronën” etj, banorët përsëritën kërkesën për rindërtimin e pallateve në po të njëjtat vende si para tërmetit të 3 viteve më parë. Në shenjë simbolike ata i vendosën pankartat edhe në shkallët e bashkisë.

Ata refuzojnë të sistemohen në sitin e ri në Spitallë.

Ndërkohë, dhënia e bonusit të qirasë mbetet një problem shqetësues për shumë prej tyre.

Ndryshe nga herët e tjera, në mbështetje të banorëve protestues ishin dhe përfaqësues të degës lokale të PD-së. Ilirjana Kucana, anëtare e Këshillit Kombëtar deklaroi se janë sot në shesh në mbështetje të banorëve, që u kanë kërkuar ndihmë.

Rreth 300 familje të lagjes nr.5 në Durrës protestojnë prej disa javësh tashmë, sepse kundërshtojnë sistemimin e tyre në Spitallë, që për ta konsiderohet internim.

M.B.