Një i ri që mbante kokainë në banesën e tij në Durrës dhe dy të rinj nga Kosova që po tentonin të kalonin kufirin me letra false, janë arrestuar nga policia e Durrësit.

Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin H. T., 31 vjeç, banues në lagjen nr. 5 Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Durrës arrestuan në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasit M. H., 29 vjeç dhe B. P., 19 vjeç, të dy banues në Kosovë, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë, në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalonin kufirin, me dokumente të dyshuara të falsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.