Arrestohet në flagrancë një 37-vjeçar në Durrës që kishte fshehur kanabis në automjetin që drejtonte.
Policia kreu arrestimin e të riut në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Gjithashtu u procedua penalisht edhe pasagjeri në automjet, një shtetas italian.
“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 37 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin shtetasin italian M. R., 30 vjeç”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin tip “Citroen”, me drejtues shtetasin A. K. dhe pasagjer shtetasin M. R., kanë gjetur të fshehur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njoftojnë blutë e Durrësit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.