Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë së Durrësit ka parandaluar pasditen e djeshmen një ngjarje kriminale në zonën e Plazhit, ku 3 shtetas për motive të dobëta, kanosën me armë zjarri, një 44-vjeçar.

Finalizohet kështu operacioni policor i koduar “Intervention”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit Bajram Roçi, Bekim Çera dhe Ylli Murati. Njëri prej të arrestuarve, me precedent për vjedhje me armë.

Sekuestrohen 3 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoleta), municion luftarak, si dhe 3 automjete, njëri prej tyre, i blinduar.

NGJARJA

Menjëherë pas njoftimit, për një rast kanosjeje në rrugën “Pavarësia”, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit Operacional dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Durrës, kanë shkuar në zonë, dhe si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, si dhe i punës së mirorganizuar, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë autorët e rastit.

Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Intervention”, janë vënë në pranga shtetasit Ylli Murati, 40 vjeç, Bajram Roçi, 30 vjeç dhe Bekim Cera, 30 vjeç, të tre banues në Tiranë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur me armë zjarri, një shtetas 44 vjeç.

Nga kontrolli në automjetin e blinduar të 40-vjeçarit u gjeten 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoletë). Më tej, nga kontrolli fizik ndaj këtij shtetasi, u konstatua se mbante dhe 1 radio të lidhur me kanalet e komunikimit të DVP Durrës.

Në vijim të operacionit “Intervention”, nga kontrolli në banesën e babait të shtetasit të arrestuar B. R., u gjet 1 armë zjarri pistoletë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.