Ndërsa shumë sektorë të ekonomisë po rikuperohen me shpejtë dhe po e arrijnë dhe tejkalojnë nivelin e para krizës, nuk po ndodh e njëjta gjë me baret dhe restorantet.

Frekuentimi në to mbetet i ulët dhe larg niveleve para pandemike.

Të dhënat e INSTAT, të publikuara në statistikat afatshkurtra sipas aktiviteteve ekonomike tregojnë se në tremujorin e dytë 2021, ndonëse qarkullimi në bare e restorante pothuajse është dyfishuar në raport me të njëjtën periudhë të një viti të kaluar, kur gjithçka u mbyll, ai sërish mbetet më i ulët se në 2019-n.

Indeksi i vlerës së aktiviteteve të bareve e restoranteve, sipas INSTAT, në prill-qershor 2021 ra me 17.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Me rënie paraqiten dhe pagat e punonjësve të këtij aktiviteti ekonomik. Indeksi i pagave, sipas INSTAT ka rënë me 27% në krahasim me tremujorin e dytë 2019, ndërsa është rritur me vetëm 3.8% në raport me periudhën pandemike.

Më negativ është indeksi i punësimit, që është më i ulët edhe se periudha pandemike, kur baret për dy muaj ishin të mbyllura. Sipas INSTAT, ky indeks ra me 7.2% në raport me tremujorin e dytë 2020, ndërsa është 39% më i ulët në raport me periudhën para pandemike (prill-qershor 2019).

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, thotë se pavarësisht se ka pasur rritje të frekuentimit të bareve dhe restoranteve, sidomos në muajt e verës, shpenzimet e një familje në restorant kanë qenë të ulëta. Sipas tij, pandemia ndikoi edhe për të vendosur një rregull të ri tek konsumatori, pasi ata u mësuan të porosisin nga shtëpia dhe bizneset në Shqipëri nuk ishin gati për paketime. “Sektori ende nuk e ka marrë veten nga pandemia dhe nuk besoj se do të arrijë të rikuperohet para vitit 2022. Për të arritur nivelin e vitit 2019 duhet të presim pranverën e vitit 2023”.

Në total, në bare dhe restorante janë të punësuar rreth 45 mijë persona në 2019-n, sipas INSTAT, gati 10% e totalit të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor.

Të ardhurat e bareve e restoranteve, apo shpenzimet e shqiptarëve, arritën një nivel rekord në 2019-n prej 51.8 miliardë lekësh, ose rreth 420 milionë euro, ose 150 euro/frymë. Sipas INSTAT, në krahasim me 5 apo 6 vjet më parë, shpenzimet për kafene e restorante janë dyfishuar. /Monitor