A e dini se dietat krijojnë barriera psikologjike përgjatë udhëtimit tuaj të dobësimit dhe e bëjnë atë të duket më i vështirë? Në vend që të bëni këtë gjë, mjafton që të merrni një dietë dhe ta përshtatni atë me stilin tuaj të jetesës.
Ndryshimi i trupit tuaj është më tepër një proces psikologjik sesa fizik. Ju duhet të besoni se mund të bëheni më mirë. Por, gjithashtu, duhet ta ngulisni mirë në mendje, se programi që po ndiqni është i duhuri dhe duhet të gjeni një qasje që do t’ju ndihmojë t’i përmbaheni.
Nëse vendosni të konsumoni mëngjesin, përfitimet nga ky vakt i parë i ditës do të varen gjerësisht nga përzgjedhja e ushqimit. Ata që janë pro mëngjesit, thonë se konsumi i një vakti të pasur në karbohidrate ju furnizon me energji pa rrezikuar të shtoni kilogramë. Dhe kjo, për shkak të ndjeshmërisë së madhe të insulinës në orët e para të ditës.

Por e vërteta është se niveli i insulinës nuk është i lartë në mëngjes, por pas tetë orë të moskonsumimit të asnjë ushqimi. Të tjerë persona mendojnë se nëse e zgjasni periudhën ku ju “pjatën” e mbani larg vetes, insulina mund të rritet edhe më shumë. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse e kthen trupin në një “makineri” të djegies së yndyrave dhe ndërtimit të muskujve. Në fund të fundit, asnjë provë shkencore nuk mbështet idenë se konsumi i mëngjesit është më i mirë sesa anasjelltas. Por e gjithë ideja e humbjes së peshës apo kontrollit të kilogramëve duket e paqartë. Kërkuesit francezë thonë se nuk kanë gjetur ende prova, që humbja e peshës është më e madhe kur hani shpesh.
Nga ana tjetër, studiuesit kanadezë vendosën të krahasojnë konsumin e tri vakteve në ditë përballë gjashtë vakteve në ditë, ku tre ishin vakte kryesore dhe tre të ndërmjetme. Rezultati? Nuk pati asnjë ndryshim të rëndësishëm në humbjen e kilogramëve, por njerëzit që hanin tri herë në ditë ishin më të kënaqur dhe kishin më pak uri.
Çfarë do të thotë kjo? Disa njerëz kanë një lloj varësie psikologjike ose besojnë se mëngjesi për ta është domosdoshmëri. Kjo i bën ata të ndihen më mirë, u jep paqe mendore dhe ndoshta i ndihmon të kontrollojnë urinë sapo kanë ngritur kokën nga jastëku.
Perspektiva psikologjike nuk përmban asgjë speciale rreth konsumit herët të mëngjesit kur bëhet fjalë për të humbur peshë. Në fakt, nëse e detyroni veten të hani në një orë të caktuar ose disa herë, ky mund të jetë një problem akoma më i madh.
Duhet të kini parasysh se nuk ka asnjë problem nëse konsumoni mëngjesin. Ju mund ta hani atë dhe të jeni shumë të shëndetshëm. Madje ta përdorni si pjesë të planit për të humbur peshë. Por është e rëndësishme të kujtoni se nëse po e detyroni veten të hani mëngjes, sepse gjoja ndihmon në humbjen e kilogramëve dhe i sjell metabolizmit përfitime, gaboheni.
Sipas një studimi të fundit, kërkuesit sugjeruan se bazuar në zbulimet e tyre është më mirë nëse njerëzit fillojnë të hanë më vonë gjatë ditës, por për një periudhë kohore më të shkurtër. Kjo e ndihmon trupin t’i djegë më mirë yndyrat.
Kështu pra, si përfundim duhet të kini parasysh se zgjedhja për të konsumuar mëngjesin ose jo është plotësisht në dorën tuaj. Në varësi të personalitetit tuaj, ju mund të bëni zgjedhjen që ju përshtatet më së tepërmi.
Mos besoni te besëtytnitë. Ashtu sikurse keni një trup unik, mund të keni edhe një dietë unike.