Një makinë e dërguar disa ditë më parë në një servis në zonën e plepave në plazhin e Durrësit, është kthyer në “mollën” e sherrit mes disa personave.

Pasi ka tentuar disa ditë me radhë të vihet në kontakt me pronarët e servisit, telefoni i të cilëve rezultonte i fikur, një i ri nga Durrësi, ka marrë sinjalizime të ndryshme se automjeti në pronësi të tij lëvizte nëpër qytet.

I ndodhur përpara këtij fakti, pronari i automjetit, së bashku me babanë e tij, kanë shkuar për tu takuar me pronarët e servisit. Pas takimit mes palëve ka nisur ajo që mund të cilësohet si pengmarrje, pasi babai i pronarit të makinës është marrë në automjetin e të birit që përdorej nga pronarët e servisit dhe në ato momente i kanë fikur telefonit. Ndërkohë djali i personit të marrë peng i është vënë pas me një makinë tjetër.

Sipas operatorit Denis Simaku që sjell pamjet filmike dhe dëshmitë nga vendngjarja, personi i marrë peng, ka tentuar disa herë të hidhet nga automjeti.

Pengmarrja ka marrë fund në afërsi të kampusit universitar “Aleksandër Moisiu”, ku makina që drejtohej nga një prej pronarëve të servisit ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.

Ndërkohë burime zyrtare nga policia e Durrësit, e mohojnë pengëmarrjen, ndërsa shprehen se bëhet fjalë për një konflikt për motive të dobta mes disa personave.

Mësohet se personat e përfshirë në këtë ngjarje janë shoqëruar në komisariat, për të dhënë dëshmitë përkatëse.

Deri më tani nuk dihet identiteti i të përfshirëve në këtë ngjarje.