Mesfushori i Teutës, Matias Lloci, ka folur për sezonin që kaloi dhe për objektivat e tij dhe të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Lloci është optimist për sezonin e ri, duke besuar se do të jetë më i suksesshëm, si për të personalisht, ashtu edhe për ekipin. Kur është pyetur për vlerësimin e sezonit, ai ka theksuar se Teuta ka bërë maksimumin. Në lidhje me të ardhmen e tij te Teuta, Lloci ka bërë të qartë se ka një kontratë me klubin dhe nuk ka menduar për ndonjë plan tjetër për momentin. Ai është i fokusuar të japë maksimumin për skuadrën dhe po përgatitet individualisht gjatë periudhës së pushimit për t’u bashkuar me ekipin për sezonin e ri.

Matias e mbyllni këtë vit në Durrës. Çfarë note i vendosni kampionatit tuaj, pra, ekipit?

Duke parë sesi rrodhën ngjarjet, mendoj se kemi bërë maksimumin. Nuk më pëlqen të vendos një notë, le t’ua lëmë të tjerëve të na vlerësojnë. Personalisht, mendoj se kemi bërë më të mirën. Notën le t’ua lëmë specialistëve. Ne futbollistët kemi për detyrë vetëm të flasim përmes topit.

Vitin që vjen do t’ju shohim sërish te Teuta apo keni rezervuar plane të tjera për të ardhmen?

Duhet ta theksoj se kam një kontratë me Teutën dhe se nuk kam menduar ende për të ardhmen. Momentalisht, dua të jap maksimumin në këtë skuadër, pasi po stërvitem individualisht gjatë këtyre ditëve pushimi që kemi. Më pas, do t’i bashkohem ekipit për sezonin e ri.

Cili është një episod që Lloci do ta mbajë mend gjatë nga ky sezon që sapo u mbyll?

Në fakt, nuk jam i fokusuar tek episodet, por tek i gjithë sezoni. Për mua, është një nga edicionet më të bukura dhe shpresoj që t’i kem kënaqur të gjithë ata që më kanë besuar fanellën e Teutës, nga presidenca e deri te trajneri Hodo.